Mihael Rot në takime me Osmanin dhe Dimitrovin

11.07.2017 10:19

Sekretari shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë....

Sekretari shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Mihael Rot, i cili prej dje ndodhet për vizitë në Maqedoni. sot do të ketë takime me zëvendëskryeminsitrin e Republikës së Maqedonisë, i angazhaur për çështje evropiane, Bujar Osmani dhe me shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

Në takime, siç është paralajmëruar, do të bisedohet për procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë, si dhe për arritjet e fundit të vendit lidhur me anëtarësimin në Union. Gjithashtu, do të arsyetohet edhe Plani 3-6-9.

Diplomati gjerman dje u takua me kryeminsitrin Zoran Zaev, ku, siç kumtoi shërbimi qeveritar për informim, është shprehur mbështetja e fuqishme e Gjermanisë për hapat e kryministrit dhe të Qeverisë së re të Maqedonisë, në muajin e parë të formimit. është vlerësuar se janë bërë lëvizje të dukshme pozitive që paralajmërojnë rezultate në proceset eurointegruese.

Lidhur me vizitën e sekretarit shtetëror Rot, nga MPJ gjermane kumtuan, se ai ka shfaqur shpresë nga përkushtimi ndaj reformave të Qeverisë së re në vend, formimi i së cilës, theksojnë, ishte i gjatë dhe i vështirë.

"Ishte koha e fundit të tejkalohen bllokadat në ish-Republikën jugosllave të Maqdonisë. Politikanët përgjegjës e çuan vendin në gjendje shumë të rëndë. Prandaj jam i kënaqur nga sinjalet e para shpresëdhënëse nga qeveria e re. Kryeministri Zaev tha qartë se dëshiron hollësisht të merret me integrimin në BE dhe se është sinqerisht i interesuar për pajtim rjaonal", - thuhet në informatën nga MPJ gjermane para vizitës.

Diplomati gjerman Rot vjen në Shkup pas vizitës në Beograd.

Mihael Rot është një ndër diplomatët më me ndikim në MPJ-në gjermane, anëtar i socialdemokratëve gjermanë dhe një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të minsitrit të Jashtëm Zigmar Gabriel, i cili është pjesë e fushatës së SPD-së për zgjedhjet federale të caktuara për në shtator, ndërkaq merr pjesë edhe në ndërmejtësimin ndërkombëtar për krizën në Katar.