Greqi, trazira në kampin e refugjatëve
Në kampin e refugjatëve në ishullin grek, Lesvos....

Në kampin e refugjatëve në ishullin grek, Lesvos, kanë nisur pasditen e së hënës trazira, që mund të përshkallëzohen.
Sipas Agjencisë zyrtare të Lajmeve ANA-MPA, incidentet filluan kur një grup refugjatësh po protestonin për kushtet e këqija të mbajtjes në izolim para kthimit mbrapa për në Turqi.
Një skuadër policësh mori përsipër mbrojtjen e mjedisit ku ndodhen zyrat e shërbimeve të azilit dhe deportimit. Por, ata u sulmuan me gurë dhe sende të tjera. Policia përdori lëndë kimike për të shpërndarë protestuesit. Pas kësaj ndërhyrjeje, protesta mori karakter masiv.
Të paktën dy çadrave dhe dy kontejnerëve u është vënë zjarri. Në kohën që mediat lokale transmetojnë pamje nga kampi i Morias, ku duken shtëllungat e tymit, agjencia ANA-MPA raporton se grupe refugjatësh nuk lejojnë makinat zjarrfikëse që të futen brenda kampit e të tentojnë vënien nën kontroll të zjarreve.
Edhe vetë zjarrfikësit janë goditur me gurë nga protestuesit, ndërsa një automjet i tyre ka pësuar dëmtime.
