Komuniteti boshnjak përkujton gjenocidin, marsh paqësor për Srebrenicën në Shkup

11.07.2017 14:41

Nën moton “Mos e harro Srebrenicën”, sot u zhvillua marshi i paqes....

Nën moton “Mos e harro Srebrenicën”, sot u zhvillua marshi i paqes për viktimat nga masakra e mijëra boshnjakëve në Srebrenicë. Komuniteti boshnjak në Shkup tradicionalisht përkujton 11 korrikun, ditën e gjenocidit në Srebrenicë, me çka nderoi viktimat e masakrës. 

“Gjenocidi në Srebrenicë nuk duhet harruar kurrë. Ky është obligim jo vetëm i organizatave joqeveritare të boshnjakëve në vend, por edhe të tjerëve në këtë vend. Ne e përkujtojmë këtë ditë duke dhënë nderime të sinqerta për këtë ngjarje tragjike dhe duke dëshiruar që kjo që na ndodhi ne të mos i ndodh askujt tjetër”,- deklaroi Xhemil Bektoviq nga OJQ e Boshnjakëve.

“Masakra e Srebrenicës, mes tjerash, simbolizon edhe dëshirën tonë për t’i dhënë fund të gjitha gjenocideve të tjera në botë. Ne sinqerisht shpresojmë se gjeneratat e reja nuk do të jenë pjesë e tragjedive të tilla”,- u shpreh Emir Kasanoviq nga OJQ e Boshnjakëve.

Ndërkohë, konvoji i 71 trupave të masakruar të dielën u nis për Qendrën Memoriale në Potoçarë. Në mesin e të ekzekutuarve që sot do të varrosen në këtë qendër janë edhe disa të mitur. Viktima më e re, Damir Suliq, ka pasur vetëm 15 vjeç, ndërsa më i vjetri është Alija Salihoviq, i cili kishte lindur në vitin 1923.

Gjenocidi i boshnjakëve në Srebrenicë u realizua nga ana e forcave serbe nën udhëheqësinë e ish-presidentit, Radovan Karaxhiq, në korrik të vitit 1995. Kjo masakër, e cila për 11 ditë sa zgjati u ekzekutuan mbi 8.000 civilë boshnjakë. (Rexhep Qamili, TVM2)