Maqedoni

Pens: ShBA përkrah qeverinë reformatore të RM-së

11.07.2017 16:01

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, mbrëmë ka biseduar në telefon me nënpresidentin e ShBA-së, Majk Pens...

Në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë që e publikoi Pens në profilin e tij në Tuiter, thuhet se nënpresidenti amerikan ia ka uruar Zaevit zgjedhjen për kryeministër dhe e ka përsëritur mbështetjen e ShBA-së për reformat dhe aspiratat euroatlantike të Maqedonisë.

“Në emër të presidentit, Donald Tramp, nënpresidenti Pens e uroi Zaevin për marrjen e detyrës së kryeministrit më 31 maj. Nënpresidenti e nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së ndaj aspiratave euroatlantike të Maqedonisë dhe e inkurajoi Zaevin t’u japë prioritet reformave të cilat do të mundësojnë përparim të Maqedonisë në atë rrugë. Nënpresidenti Pens theksoi edhe se e pret me padurim takimin me Zaevin dhe liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Kartës së Adriatikut që do të mbahet më 2 gusht në Podgoricë, Mal të Zi”,- ceket në kumtesën nga Shtëpia e Bardhë.

Maqedonia, si kryesuese aktuale me Kartën e Adriatikut, së bashku me Malin e Zi, do të jetë nikoqire e takimit të ardhshëm të liderëve të vendeve anëtare me nënpresidentin amerikan, Majk Pens, në Podgoricë.