Maqedoni

Roth: erdhi koha që BE t`i ndihmojë Maqedonisë

11.07.2017 16:57

Maqedonia nuk ka alternativë tjetër pos anëtarësimit në BE dhe NATO...

Kjo u tha në takimin mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, me sekretarin shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Mihael Rot.
 
Hapat e parë të qeverisë janë premtuese se po shkojnë në drejtimin e duhur, tha Rot, por sipas tij edhe opozita duhet që të kyçet në procesin e zbatimit të reformave me qëllim që Maqedonia të përparojë në rrugën euroatlantike. Gjermania është e gatshme ta mbështesë Maqedoninë në këtë aspekt. 
 
“Askush në Maqedoni dhe në Greqi nuk e kupton kontestin me emrin, ai është një çmenduri e vërtetë. Unë e respektoj se edhe këtu edhe në Greqi ka emocione, por duhet të lëmë që historia të mbetet histori dhe të shkojmë drejt një të ardhme të përbashkët, dhe Gjermania është e përgatitur të japë mbështetje në  këtë drejtim, por me të vërtetë e vlerësoj atë që këtu po përcjellin sinjalet e duhura nga Shkupi dhe atëherë edhe ne ndjemë detyrim ta mbështesim Maqedoninë”,- deklaroi sekretari shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Mihael Rot.
 
Ministri Dimitrov vlerësoi ndihmën që i jep Maqedonisë qeveria gjermane, ndërsa në lidhje me marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë tha se ende është herët të publikohen detaje nga marrëveshja, por, sipas tij, po bëhen përpjekjet maksimale për nënshkrim të marrëveshjes. 
 
“Bazën për kompromis të cilin e kemi arritur është bazë e mirë që të nënshkruhet tekst,  të cilin, edhe ne në mënyrë krenare dhe ballëlkartë do ta nënshkruajmë, edhe Bullgaria gjithashtu ballëlartë do ta nënshkruajë. Ajo ishte esenca dhe besoj se të dy delegacionet i lëshuan bisedimet me ndjenjën që në kuadër të rrethanave bëmë maksimumin tonë”,- u shpreh ministri i Jashtëm i RM-së, Nikolla Dimitrov.
 
Diplomati gjerman, Mihail Rot, takoi edhe zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmanin. Në këtë takim zëvendëskryeministri Osmani e njoftoi atë me Planin “3-6-9”, i cili përmban reformat urgjente prioritare të Qeverisë, të cilat do të zbatohen në periudhën e ardhshme.
 
Osmani theksoi që zbatimi i reformave dhe bashkëpunimi rajonal për integrim në BE janë dy trajektore paralele në të cilat po ecë puna e Qeverisë se re, si dhe kthimi i rrugës drejt BE-së është e patjetërsueshme.
 
"Gjermania është mbështetëse e fortë e politikës së zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila tregoi inicimin e procesit të Berlinit përkushtuar lidhshmërisë, marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian, dhe e cila u konfirmua në samitet e fundit në Vjenë dhe Paris, e cila do të vazhdojë edhe me Samitin në Triestes këtë javë",- tha zëvendëskryeministri Osmani.
 
Sekretari shtetëror gjerman, Mihael Rot, pati takime dje edhe me kryeministrin, Zoran Zaev, ku u njoftua me reformat të cilat i parasheh t’i ndërmarrë qeveria e re reformatore.  
 
ERSAN PAJAZITI