MAQEDONI
Numër simbolik i shqiptarëve në shtëpinë “Lika Copova”
05.06.2014 18:33
Ende familjet shqiptare nuk kanë arritur deri në atë pikë të dërgojnë prindërit e tyre në shtëpi të pleqve...

Ende familjet shqiptare nuk kanë arritur deri në atë pikë të dërgojnë prindërit e tyre në shtëpi të pleqve.
“Lika Copova” është një prej shtëpive të pleqve në kryeqendër, e cila është e hapur prej shumë vitesh në një prej vendbanimeve me shumicë shqiptare në Komunën e Çairit. Pas vizitës që i bëmë, mësuam se edhe pse ka një numër të madh të pensionistëve të cilët banojnë aty, vetëm 3 familje janë shqiptare.
“Te mentaliteti shqiptar është shumë pak i shprehur ajo që mos të ndahen prej fëmijëve, mos tu bëhen barrë fëmijëve të vet dhe të përcaktohen, bëhet fjalë për një shtëpi, po të kishim më shumë do të ishte më ndryshe, kushtet janë ashtu siç janë. Në përgjithësi shqiptarët nga mentaliteti i vet i largohen asaj si për babën për fëmijën, unë do të turpëroj fëmijët, nuk më ruajnë, fëmija thotë s’mund ta lë babën, nënën që të shkojë, se janë të lidhur”, deklaroi drejtuesi i shtëpisë së pleqve në Çair, Rauf Hamidi.
Drejtuesi i kësaj shtëpie, Rauf Hamidi, thekson se edhe pse kriteret për tu vendosur te ta nuk janë shumë strikte dhe çmimi është simbolik, sërish mentaliteti bën të vetën.
“Shpërndarja e banesave bëhet me anë të disa kushteve, si patjetër duhet të jenë pensioner, nuk duhet të kenë pronësi as të tundshme as materiale, do të thotë mos të kenë vendbanim, duhet të jenë të shëndoshë, sepse këtu nuk bëhet fjalë për ata që janë invalid. Banesat janë nga 27 m. katror, 34 m. katror dhe 42 m. katror, varet se a janë burrë e grua apo njëri prej tyre. Banesa varet nga kushtet, në Komision duhet të sjellin kontratën, unë pastaj e shpërndaj dhe ata çdo gjë e kanë në shpenzimet e veta”, theksoi Hamidi.
Drejtuesi Hamidi fton pensionistët që së paku të vizitojnë klubin që është hapur në këtë shtëpi, pasi në të njëjtën kohë do tu bënin shoqëri pensionistëve, të cilët janë pjesë e “Lika Copova”.
RINA TURKESHI-SAHITI
