Maqedoni
Ligji për gjuhën shqipe, Osmani: së shpejti në procedurë parlamentare
11.07.2017 18:20
Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe është kthyer sërish në aktualitet...

Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, në një intervistë për “Makfax” ka deklaruar se ligji së shpejti pritet të kalojë në procedurë parlamentare, ndërsa paralelisht me këtë edhe në vlerësim tek Komisioni i Venedikut.
Çuarja e ligjit për vlerësim në Komisionin e Venedikut, sipas tij, vjen me rekomandim të partnerëve ndërkombëtarë për të penguar më pas kontestimin e tij në trupat vendorë.
“Derisa zgjat debati në kuvend, do të merret vlerësimi edhe i Komisionit të Venedikut, dhe kjo edhe një herë do ta forcojë konsensualitetin në raport me këtë ligj dhe nuk do të lë hapësirë që kushdo qoftë për qëllime partiake dhe politike ta përdorë këtë ligj për ta kontestuar atë në trupat e ndryshëm të shtetit”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Por, nga VMRO-DPMNE thonë se çuarja e ligjit për vlerësim nënkupton prolongim dhe mosgatishmëri për ta plotësuar atë që ka premtuar koalicioni qeverisës.
“Kjo qartë është përpjekje për ikje nga premtimi para shqiptarëve i dhënë nga LSDM, BDI dhe Aleanca. Gjithçka që nuk dëshirohet të zgjidhet mund të dërgohet në Komisionin e Venedikut dhe më pas ta presim gjashtë muaj, një vit e kështu me radhë”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë nga LSDM thonë se në kuvend presin një pako me propozim-ligje ku duhet të ndodhet edhe ligji për gjuhët.
“Ne si grup parlamentar nga qeveria presim propozim ligjet në pako, të cilat të harmonizuara me të gjithë partnerët e koalicionit do të arrijnë në shqyrtim dhe ne si të tilla do t’i shqyrtojmë në komisione dhe seancë plenare. Ndërsa deri më tani, siç jemi të informuar, pakoja përmban edhe Ligjin për avancimin e përdorimit të gjuhëve”,- deklaroi ditë më parë Tomisllav Tuntev nga LSDM.
NAIM RAMADANI
