Maqedoni
Kuvend, Avokati i Popullit kërkon punësime të reja dhe më shumë para
11.07.2017 18:35
Kuvendi vazhdoi debatin rreth Propozim-vendim për dhënie pëlqimi akteve të përgjithshme të Avokatit të Popullit...

Ixhet Memeti kërkon më shumë fonde për këtë institucion dhe punësime të reja, për shkak të volumit të punës. Sipas tij, institucioni i AP-së në Maqedoni pranon më shumë parashtresa për kokë banori krahasuar me të gjitha institucionet simotra në rajon.
“Edhe pse kemi banorë rezidentë prej dy milionë, institucioni pranon tre deri në katër mijë parashtresa, që është dy herë më shumë se në Serbi, Shqipëri, Mal të Zi dhe Greqi. Dhe e dyta, sa i përket fushatës, dua t’u njoftoj se që nga themelimi i institucionit, po të mos ishin fondet nga OSBE, institucioni nuk do të mund të promovohej. Pasi në buxhet asnjëherë, as tani, nuk ka pasur asnjë denarë për këtë qëllim,- theksoi avokat i popullit, Ixhet Memeti.
Mirëpo opozita maqedonase, për disa ditë me radhë, paraqet argumentet kundër kërkesës së AP-së. Me këto kërkesa mund të realizohen punësime partiake.
“Rrjedhë normale e çështjeve është që në fillim të ndodhin ndryshimet në Ligjin për AP-në dhe pastaj të përgatisni sistematizim që nuk do të ketë lidhje me Ministrinë për Shoqëri Informatike. Tani për tani shpalljet për punësim të AP-së i publikon Agjencia për Administratë në harmoni me Ligjin për punësim në sektorin publik”,- theksoi Mitovska Sllagjana nga VMRO-DPMNE.
“Kam dyshim se këto kërkesa kanë për qëllim që, në marrëveshje me partnerin e koalicionit, të strehoni kuadro partiake. Pajtohem se duhet të jeni të ekipuar, të keni burime njerëzore që më mirë t’u përgjigjeni kërkesave të qytetarëve, por mënyra që kërkoni për të realizuar këto punësime më krijon dyshime”,- u shpreh Dragan Cuklev nga VMRO-DPMNE.
Pas votimit të Propozim-vendim për dhënie pëlqimi akteve të përgjithshme të Avokatit të Popullit, kuvendi do të fillojë debatin rreth propozimit të qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit, Marko Zvërleski.
SHPËTIM NUREDINI
