Maqedoni

Marrëveshja Maqedoni-Bullgari, opozita maqedonase kërkon qasje të drejtpërdrejtë

11.07.2017 19:56

Gjashtë deputetë të VMRO-DPMN-së, përmes një letre të dërguar deri tek kryeministri Zaev dhe ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov...

Gjashtë deputetë të VMRO-DPMN-së, përmes një letre të dërguar deri tek kryeministri Zaev dhe ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, kërkojnë transparencë dhe qasje sa i përket marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.
 
Deputeti i VMRO-së, Ilija Dimovski, lidhur me këtë, deklaroi se partia e tij si parti më e madhe dhe  fituese në zgjedhjet e fundit, do të mbështesë çdo marrëveshje pa çështje që do të jenë në interes të vendit, por vetëm nëse e njëjta ka transparencë dhe qasje të sinqertë në mbrojtjen e interesave shtetërore.
 
VMRO shpreh brengosje që deri më tani të gjitha zhvillimet e realizuara në këtë drejtim mes qeverisë së Maqedonisë dhe asaj bullgare  nuk janë bërë publike nga kompetentët e vendit, por vetëm nga disa media bullgare.
 
“Informacione të vetme opinioni maqedonas dhe ne kemi vetëm nga mediat bullgare, në mediumet bullgare keni deklarata të deputetëve bullgarë, keni deklarata nga deputetët bullgarë në Parlamentin Evropian, nga Ministra në Qeverinë e Bullgarisë. Atje ka debat publik, deputetët bullgarë kanë mundësinë të bëjnë shqyrtim  të marrëveshjes, tek ne nuk ka asgjë, ka vetëm qetësi. Nuk ka informacione, nuk ka debat publik, nuk ka hapësirë për shqyrtim të marrëveshjes. Dhe kjo sipas nesh është një çështje e cila po na brengos”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
“Bazën për kompromis të cilën e kemi arritur është bazë e mirë që të nënshkruhet dokument i cili edhe ne në mënyrë krenare dhe ballëlartë do ta nënshkruajmë, por edhe Bullgaria gjithashtu ballëlartë do ta nënshkruaj. Ajo ishte esenca dhe besoj se dy delegacionet i lëshuan bisedimet me ndjenjën që në kuadër të rrethanave bëmë maksimumin tonë”,- theksoi ministri i Jashtëm i RM-së, Nikolla Dimitrov.
 
Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim dypalësh midis Maqedonisë dhe Bullgarisë të nënshkruhet ashtu siç është paralajmëruar, e ka potencuar dje edhe ish-presidenti bullgar.
 
Në ndërkohë, Bashkimi Evropian përshëndet çdo hap të qeverisë në Maqedoni, e cila po bën përpjekje për marrëdhënie dhe fqinjësi të mirë mes shteteve fqinje, sepse vetëm përmes kësaj rruge vendi mund të arrijë deri tek familja e madhe evropiane. 
 
GAZMEND REXHEPI