Maqedoni
DAP-i filloi reformat në sistemin tatimor
11.07.2017 20:41
Drejtoria e të Ardhurave Publike filloi aktivitetet për thjeshtëzimin e procedurës për pagesën e tatimit personal, respektivisht dhënien e fletëparaqitjes vjetore tatimore në mënyrë elektronike...

Ky proces përfshin dy faza, me ç’rast në fazën përfundimtare do të jepet fletëparaqitja tatimore vjetore për të ardhurat e realizuara, tatimi personal i të ardhurave të qytetarëve dhe mundësia që e njëjta të konfirmohet nga DAP.
“Reformat në sistemin tatimor janë të patjetërsueshme për përafrimin e praktikave më të mira, por edhe plotësimin e kërkesave disavjeçare të kontabilistëve dhe obliguesve tatimorë”,- deklaroi drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska.
Drejtoresha e DAP-it, Llukarevska, tha se në fund të pjesës së parë të vitit janë mbledhur të ardhura tatimore prej 3.16% më pak nga të parashikuarat.
Sipas saj, pagesa e ulët e tatimeve ka të bëjë me situatën e vështirë ekonomike si dhe vakuumin që u krijua pas formimit të Qeverisë së re.
“Kjo nuk është tragjike, sepse duam të punojmë në interes të qytetarëve dhe mbushjen e arkës shtetërore që jetesa të jetë e mirë për të gjithë në vend. Për kthimin e TVSh-së do bëhen përpjekje maksimale që të ketë kontinuitet sa i përket kthimit të TVSh-së”,- theksoi drejtoresha e DAP-it, Sanja LLukarevska.
Sa i përket kthimit të 15% nga TVSh-ja qytetarëve, Llukarevska tha se bëhen analiza dhe se do të startojë në 2018-n.
REJHANE BUSHI-METAJ
