MAQEDONI

BDI mbajti kongresin zgjedhor

05.06.2014 18:38

Në kongresin e tretë të BDI-së, kryetari i Komisionit për Interpretimin e Programit, Fatmir Besimi...

Në kongresin e tretë të BDI-së, kryetari i Komisionit për Interpretimin e Programit, Fatmir Besimi, ka prezantuar para delegatëve programin e partisë, ku u shpreh se atë e kanë përgatitur në aleancë me qytetarët shqiptarë, të cilët janë pjesë jetike e së ardhmes së shtetit, por edhe me konsultimin e ekspertëve, profesorëve universitar, artist, simpatizant dhe praktika nga vendi, rajoni dhe më gjerë.
 
Pas rizgjedhjes nga delegatët e kongresit, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka siguruar ata se në asnjë moment nuk do t’i zhgënjejë ashtu siç nuk i ka zhgënjyer në 12 vite.      
                                        
“Jam përpjekur bashkë me ju që të ndërtojmë vlera, parime, rregulla, të cilat na kanë vlerësuar. Jam përpjekur të forcojmë kolegjialitetin, të marrim përsipër misione, sepse kështu forcohet lëvizja jonë që i ka rrënjët më të lashta nga 5 qershori. Misionarët e idealistët qëllim parësor kanë interesat dhe jo lakminë, sepse lakmia të degjeneron, të tjetërson. Idealizmi dhe misioni të forcon dhe nderon, sepse materializon qëllimet dhe idealet për të cilat njerëzit e këtij kombi kanë punuar dhe ne përpiqemi ato vlera t’i çojmë përpara”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.    
                     
Ai tha se mbajtja e kongresit ishte shtyrë nën imponimin e situatave të të cilave sipas tij, u duhej dhënë drejtim.
 
“Analizuam të gjitha momentet dhe vlerësuam se duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme, me qëllim të lënies hapësirë për menaxhimin e çështjeve të rëndësishme përpara të cilave ndodhej vendi. Kjo ndodhi pas vizitave që BDI bëri në SHBA, Evropë dhe në rajon. Brenda kësaj periudhe realizuam disa zgjedhje. Nga cikli në cikël kemi dalë më të fortë, më të organizuar e mobilizuar. Kjo rritje e besimit nga votuesit, rrit përgjegjësitë tona. Ne jemi krenar që qytetarët na kanë besuar në misionin tonë. Ne nuk duhet të harrojmë, që të mos i zhgënjejmë njerëzit që na përkrahën. Ndodhemi në situata që duhet guxim dhe veprim. Ne shtruam për zgjidhje, për të ofruar klimë dhe atmosferë tjetër në vend. Ne e propozuam presidentin konsenzual. Ky përcaktimi yni nuk është vetëm përcaktim se vetëm na shkoi mendja për të bërë disa lëvizje akrobatike që njerëzit të merren me të. Qëllimi ynë ka qenë i pastër si kristali, sepse vendit i duhen figura që pajtojnë dhe afrojnë popujt në vend. Për fat të keq kjo nuk ndodhi, po porosia ka shkuar jo vetëm te autoritetet këtu, por edhe në Evropë dhe në Uashington, se shqiptarët duan që ky vend të ecë para, të jetojnë në harmoni komunitetet”, u shpreh Ahmeti.
                
Ahmeti po ashtu foli edhe përkushtimin e partisë në rrugën drejt eurointegrimeve, zgjidhjen e emrit, lirinë e mediave dhe për dorëzimin e mandateve nga opozita.
 
Në kongres morën pjesë 675 delegat, të cilët po ashtu votuan edhe për kryesinë e përgjithshme të partisë, por edhe për ndryshimet e statusit të partisë, në të cilat ndër të tjera u bë rritja e nimit të anëtarëve të kryesisë së përgjithshme dhe numrit të anëtarëve të kryesisë së ngushtë të partisë.
 
Po ashtu BDI nga ky kongres do të ketë edhe “këshillin e të urtëve”, i cili do të luaj rol të rëndësishëm në vendimmarrjen e partisë.
 
MEFAIL ISMAILI