MAQEDONI

Mbrojtja kërkon liri për të akuzuarit në rastin “Monstra”

05.06.2014 18:42

Në mungesë të provave, avokatët mbrojtës në rastin “Monstra” kanë kërkuar lirim nga akuza për 7 të akuzuarit...

Në mungesë të provave, avokatët mbrojtës në rastin “Monstra” kanë kërkuar lirim nga akuza për 7 të akuzuarit, kështu duke hedhur poshtë aktakuzën dhe fjalët e fundit të Prokurorisë, e cila sipas avokatëve mbrojtës, në asnjë rast nuk arriti të vërtetojë se këta të akuzuar janë kryerësit e veprës.
 
Akuza e Prokurorisë është e mbështetur në supozime personale pa as një dëshmi materiale dhe verbale. Kërkesa e prokurores për dënim maksimal për të akuzuarit, është në kundërshtim më nenin 332 nga Ligji për Procedurë Penale.
 
Avokatët dhe publikisht pyetën prokuroren se prej ku është bazuar kur ka shkruar aktakuzë përderisa për këtë ngjarje nuk janë gjetur armët  dhe as kush nuk e ka parë aktin e vrasjes, ndërsa ajo në mënyrë detajore të njëjtat i përshkruan në aktakuzë.
 
Gjatë kësaj seance kishte edhe reagime të shumta për dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, që sipas avokatëve dhe të akuzuarve, kanë qenë kontradiktore dhe të pavërteta, gjë e cila është vërtetuar edhe me dëshmitë e shumta që ka siguruar mbrojtja.
 
Avokatët thanë se të akuzuarit është dashur të lirohet që kur dëshmitarët okularë romë deklaruan se nuk janë këta personat që kanë parë natën e krimit te liqeni i Smillkovcës. 
 
Vetura “Opel Omega” ekziston vetëm në fotografi dhe jo realisht, thotë Raufi, pasi të njëjtën nuk e kanë parë as dëshmitarët te liqeni i Smillkovcës, por as pala mbrojtëse.
 
“Edhe njëherë e kontra-argumentuam praktikisht aktakuzën e Prokurorisë. Unë në fjalën time përfunduese u ndala në dëshmitarin e koduar, pasi mendoj që  në mungesë të provave që i kishte Prokuroria, atëherë u bazua në dëshminë e këtij dëshmitari... Prokuroria ka pas problem, pasi që s’ka pas prova dhe ka qenë e detyruar ta gjejë këtë dëshmitarë edhe ashtu praktikisht filloi edhe të montohet ky proces. Jam i bindur që ky është një montim klasik. Në këto raste edhe deri më sot është shkelur prezumcioni i pafajësisë dhe kjo punë vazhdon edhe më tutje”, deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
“Unë jam fiksuar në ditën 12 prill 2012, kur edhe ka ndodhur vrasja, me ç’rast kemi alibi të palëkundur për lëvizjen e të akuzuarit, Rami Sejdi dhe kontaktet në telefon. Kemi alibi absolute se ku ka lëvizur dhe ku ka qenë në kohën e kryerjes së veprës penale”, theksoi avokati mbrojtës, Mitko Sollakov.
 
“Argument thelbësor i mbrojtjes sime ishte se argumentet e ofruara nuk ofrojnë fakte se të akuzuarit janë kryerës të veprës penale. Ajo që është ofruar si dëshmi në fakt janë indikacione të cilat nuk kanë kualitet, nuk kanë vlerë dhe përmes tyre nuk mund të vërtetohet se të akuzuarit e kanë kryer këtë vepër penale”, tha avokati mbrojtës, Gjorgji Nastevski.
 
“Unë si avokat mbrojtës mendoj se të akuzuarit duhet të lirohen nga akuza, pasi që janë të pafajshëm dhe ne e dëshmuam këtë”, potencoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
 
Edhe të akuzuarit në këtë rast, para trupit gjykues kategorikisht mohuan të kenë ndonjë lidhshmëri me vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë. I akuzuari, Afrim Ismailoviq, para trupit gjykues u betua që ai nuk ka realizuar e as që ka ndihmuar në realizimin e kësaj vepre. Fejzi Aziri tha se asnjëherë nuk është i njohur për vepra të këqija dhe nuk ka pasur motiv të kryej vrasjen. 
 
Edhe Rami Sejdiu hodhi poshtë akuzën e Prokurorisë, ai tha se nuk mund të kishte ekzistuar marrëveshje mes tij dhe të akuzuarve të tjerë për planifikimin e vrasjes, përderisa nuk njihet më parë me të akuzuarit e tjerë dhe këtë e dëshmojnë edhe listat e thirrjeve telefonike. 
 
Haki Aziri edhe një herë dëshmoi së deklaratën e dhënë gjatë hëtuësisë e ka bërë nën presion dhe kërcënim për jetë për të dhe familjarët e tij, duke përsëritur disa herë së është i pafajshëm.
 
I akuzuari i fundit, Sami Luta, nënvizoi deklaratat kontradiktore të dëshmitarit të mbrojtur për fizionominë e tij dhe i njëjti para trupit gjykues dëshmoi se ai asnjëherë nuk ka pasur flokë të gjata ashtu siç ka thënë dëshmitari i mbrojtur.
 
Vendimi gjyqësor për këtë rast do të shpallet më 18 qershor.
 
FLORIJE KAMBERI