Tetova me stacion të ri për pastrimin e plehrave

12.07.2017 14:14

Në Tetovë ka përfunduar faza e parë e projektit...

Në Tetovë ka përfunduar faza e parë e projektit rreth ndërtimit të stacionit për pastrimin e plehrave.

Me stacionin në fjalë, sipas kryetares së komunës, Teuta Arifi, pritet që të zbutet problemi shumëvjeçar me deponinë e plehrave në Tetovë. Faza e parë e projektit kap vlerën prej 150 mijë euro, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë edhe faza e dytë. 

“Arritëm që të vëmë në funksion stacionin e grumbullimit të mbeturinave, stacion i cili gjatë kohë është përgatitur, është  planifikuar dhe është faza e parë e zgjidhjes së problemit me mbeturinat dhe transportimin e tyre. Ky është një projekt që e kemi bërë së bashku, normalisht ndërmarrja jonë publike në bashkëpunim me deponinë “Drislla” dhe me kolegët e tyre nga Kroacia. Ideja është që të gjitha mbeturinat të ngarkohen në kontejnerë dhe me këto të transportohen direkt në deponi”,- deklaroi kryetarja e komunë së Tetovës, Teuta Arifi.

Teuta Arifi ka deklaruar gjithashtu se komuna e Tetovës po shqyrton mundësinë e dhënies fund të kësaj problematike në plan afatgjatë duke bashkëpunuar me intensitet për modernizimin e deponisë “Rusino”.

“Ne si pjesë të zgjidhjes për Pollogun dhe për Tetovën normalisht do të shohim me modernizimin e deponisë “Rusion”, me qenë se është më afër dhe në të njëjtën kohë, me qenë se është më afër dhe Pollogu, ka në përgjithësi problem me mbeturinat jo vetëm Tetova. Kemi arritur një marrëveshje më Qeverinë zvicerane, me Agjencinë zvicerane për zhvillim, të cilat kanë ndarë për renovimin e deponisë “Rusiono” vlerën prej 7 milion franga dhe në këto moment jemi në fazën e nënshkrimit të kontratës, ideja është që ajo të modernizohet”,- theksoi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Këto ditë në Tetovë po punohet për të pastruar deponinë në hyrje të qytetit,e cila thuajse një dekadë ka qenë problem numër një i tetovarëve. (Visar Sadiki, TVM2)