UNT, marrëveshje bashkëpunimi me universitetet homologe në Kosovë, prioritet këmbimi i stafit akademik dhe studentëve

12.07.2017 16:10

Rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani, mirëpriti katër rektorë të universiteteve....

Rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani, mirëpriti katër rektorë të universiteteve të Ferizajit, Gjakovës, Mitrovicës dhe Prizrenit, me të cilët nënshkroi marrëveshje bashëpunimi.

Ky bashkëpunim do të intensifikohet në sferën e mobilitetit të kuadrit akademik dhe studentëve si dhe organizimin e projekteve të përbashkëta me qëllim të përmirësimit të cilësisë në arsimin sipëror.

“Bashkëpunimi ndëruniversitar për moibilitet është standard ndërkombëtar dhe ai është jo vetëm i preferuar por i domosdoshëm në një ambient ku qarkullojnë idetë, mendimet, vlerat dhe në kontestin kulturologjik shqiptar nuk kemi pse të gjitha mundësitë që ofrohen standardet ndërkombëtare, t’i bëjmë më të fuqishme, më konkrete dhe praktike në interes të cilësisë së arsimit dhe studentëve”,- deklaroi rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.

Ndihma jonë nuk do të mungojë, theksojnë rektorët nga universitetet e Kosovës, sidomos sa i përket këmbimit të stafit akademik por edhe realizimit të projekteve të përbashkëta.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo aspekti. Kemi shprehur gatishmërinë edhe për mobilitetin e stafit dhe studentëve që mund të vijnë te ne si universitete pak më të vjetra”,- theksoi rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramë Vataj.

“Bashkëpunimi në projekte të përbashkëta në të ardhmen, si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare, “Erasmus plus”, kjo është fillimi i bashkëpunimit, besoj se do të organizohen edhe konferenca vitet e ardhshme”,- u shpreh rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara, Agron Bajraktari.

Bashkëpunimi i ndërsjellë do të intensifikohet edhe me organizimin e konferencave të përbashkëta për rëndësinë e shkencave teknike. (Flutura Latifi, TVM2)