Maqedoni

Kuvendi shqyrton shkarkimin e kryeprokurorit, Ristevski: Zvërlevski heshtte para krimit; Zvërlevski: Nuk kam ndikuar te prokurorët themelorë

12.07.2017 18:52

Kuvendi vendos për shkarkimin e kryeprokurorit publik, Marko Zvërlevski...

Qeveria kërkon shkarkimin e tij për mosveprim kundër krimit dhe vënien e prokurorisë në shërbim të pushtetit, që nga viti 2013.
 
Zëvendësministri i Drejtësisë gjatë arsyetimit të propozimit për shkarkim numëroi disa nga rastet ku kryeprokurori nuk ka vepruar ose ka vepruar në kundërshtim me ligjin.
 
Ndër rastet që u përmendën janë rasti me Bankën maqedonase, rasti “Aktor”, rasti me rrjedhjen e xhirimeve për masat e posaçme hetuese nga kabineti i ish-kryeministrit Gruevski, hetimet selektive për krim zgjedhor dhe rasti me ngjarjet në Kuvend, më 27 prill.     
 
“Marko Zvërlevski si prokuror publik republikan e përfaqësonte Prokurorinë Publike me heshtje, përkatësisht me mosmarrje të asnjë veprimi kundër krimit në VMRO-DPMNE. Prokuroria Publike u shndërrua në instrument të kontrolluar të pushtetit dhe kjo është konstatuar në të gjitha raportet e BE-së, OSBE-së dhe institucioneve të tjera me renome. Në raste të këtilla përgjegjësia për gjendjen e këtillë gjithmonë bie mbi njeriun e parë të asaj prokurorie”,- tha zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristevski.
 
Mirëpo, kryeprokurori Zvërlevski hodhi poshtë të gjitha akuzat e qeverisë. Sipas tij, prokurorët publikë kanë qenë të pavarur në veprimtarinë e tyre dhe ai nuk ka ndikuar te askush që të mos nis ose të nis procedurë. 
 
“Të nderuar deputetë, asgjë nga kjo nuk është e vërtetë. Nuk është e vërtetë se funksionin e kam ushtruar joprofesionalisht, pa ndërgjegje dhe jashtëligjshëm. Që është kështu dëshmon edhe vetë propozimi i qeverisë ku në asnjë pikë nuk qëndron se si prokurori publik i RM-së e ka ushtruar postin joprofesionalisht dhe i pandërgjegjshëm. Prokurori publik i RM-së nuk ndërpret procedura. Nuk vendos se nuk do të ngrihen procedura. Prokurorët publikë themelorë, në harmoni me Kushtetutën dhe Ligjin, janë të pavarur në veprimin e vet. Ata vetë vendosin se kur të nisin procedurë, kur të mos nisin procedurë dhe kur duhet të ndërpresin procedurën. Prokurori publik i RM-së, Marko Zvërlevski, nuk ka ndikuar te askush që të mos nis ose të nis procedurë”- theksoi prokurori publik i RM-së, Marko Zvërlevski.
 
Qeveria i propozon Kuvendit që të shkarkojë Marko Zvërlevskin nga funksioni prokuror publik i RM-së për shkak të ushtrimit të funksionit në kundërshtim me ligjin, profesionalizëm të pamjaftueshëm dhe reagimit jo në kohë.
 
Qeveria konsideron se kryeprokurori Zvërlevsi me sjelljen dhe veprimin e tij nuk është i aftë të ushtrojë këtë funksion.
 
“Nuk ka ngritur procedura penale për vepra të parapara me ligj dhe ka rrënuar imazhin e këtij funksioni”, – thuhet në arsyetimin e Qeverisë.
 
Paraprakisht propozimi i Qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit Zvërlevski u pranua nga Këshilli i Prokurorëve Publik të RM-së, me shumicë votash.        
 
SHPËTIM NUREDINI