Maqedoni
Shkrirja e “Unitetit” në “Aleancën për shqiptarët”, Adili: kemi shumicën e votave; Ostreni: kompetent është vetëm kongresi
12.07.2017 19:28
Krijohen fraksione tek “Uniteti” në lidhje me shkrirjen e kësaj partie në “Aleancën për Shqiptarët”...

Nënkryetari i kësaj partie ka shpallur shkrirjen e “Unitetit” në “Aleancën për Shqiptarët” pa prezencën e kryetarit, Gëzim Ostreni. Adili tha se vendimi i Kuvendit me shumicë absolute të votave ishte pro shkrirjes së “Unitetit” dhe krijimit të subjektit politik “Aleanca për Shqiptarët”.
“Nga 15 degët e partisë, 12, gjegjësisht 13, kanë votuar që “Uniteti” të shkrihet në një subjekt politik “Aleanca për Shqiptarët”. Procesverbalet i janë dorëzuar kryetarit të partisë më 6 prill të vitit 2017, i cili nga kjo ditë ka humbur kontaktet me strukturën, duke funksionuar i vetëm. Duke pasur parasysh që kryetari i partisë nuk është në komunikim me strukturat e zgjedhura nga kongresi, ai asnjëherë nuk e thirri organin më të lartë të partisë, kuvendin qendror, prandaj kuvendi qendror u vetmblodh sot dhe në mbledhje e solli këtë vendim, bashkimin me subjektet tjera të koalicionit dhe krijimin e subjektit të ri politik “Aleanca për Shqiptarët””,- deklaroi nënkryetari i “Unitetit”, Zylfi Adili.
Por, kryetari i “Unitetit”, Gëzim Ostreni, e mohon një gjë të tillë. Ostreni thotë se për të marrë vendimin për shkrirjen e partisë kompetent është vetëm kongresi i partisë dhe askush tjetër.
“Për vendimin e shkrirjes së partisë kompetent është vetëm kongresi i partisë dhe jo dikush që thirret në emrin e nënkryetarit të partisë, se edhe ai ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetarit më 17 dhjetor të vitit 2016 në mbledhjen e kryesisë. Do ta analizojmë dhe do të shohim. E para nuk është kryetar, ndërkaq e dyta, në bazë të statutit të partisë, nënkryetari mund të punojë vetëm për atë çfarë e autorizon kryetari. Unë nuk e kam autorizuar për këtë punë. Bashkimi i partive nënkupton shkrirjen e programit, ne nuk jemi ulur ta shkrijmë programin, ndërkaq po i shkrijmë partitë”,- theksoi kryetari i “Unitetit”, Gëzim Ostreni.
Unifikimi i tre partive politike të “Aleancës për Shqiptarët” në një subjekt të ri dhe të vetëm politik, ishte nismë e LR-PDSh-së.
Ndërkaq, kreu i RDK-së, Vesel Memedi, ditë më parë tha se nisma për shkrirje nuk është e sinqertë dhe korrekte, duke lënë të nënkuptohet se RDK do të mbetet jashtë partisë së re.
ERSAN PAJAZITI
