Maqedoni
Promovohet projekti "Përmirësimi i menaxhimit me rajonet e mbrojtura"
12.07.2017 19:48
Projekti "Përmirësimi i menaxhimit me rajonet e mbrojtura" u promovua sot në Info qendrën e Parkut nacional “Galiçica”....

Projekti do të kushtojë 4,3 milion euro dhe do të financohet nga BE dhe UNDP. Nëpërmjet këtij projekti synohet të përmirësohet udhëheqja me resurset natyrore në zonat e mbrojtura në vend.
“Njerëzit zakonisht mendojnë se duhet të ketë ndonjë tregti në mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së natyrës. Qëllimi ynë është që të tregojmë se këto dy gjëra shkojnë së bashku. Natyra duhet të ruhet, por duhet të ketë edhe zhvillim të ekonomisë lokale, gjegjësisht të hapen vende të reja të punës. Ne në UNDP jemi të privilegjuar të punojmë së bashku me partnerët tanë me qëllim që t’u mundësojmë gjeneratave të ardhshme ruajtjen e këtyre pasurive natyrore”,- deklaroi përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Luis Vinton.
“Ndarja e 4 milion eurove për mbrojtjen e natyrës tregon se BE është këtu me qytetarët e këtij vendi, ne do të vazhdojmë t’u përkrahim edhe në të ardhmen. Besojmë se ky projekt do të ndihmojë të mbrohet biodiversiteti i pasur i vendit dhe zonat e mbrojtura, njëkohësisht duke përmirësuar edhe jetën e njerëzve”,- theksoi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Projekti do të realizohet gjatë 28 muajve të ardhshëm në partneritet me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Maqedonia është mirënjohëse për këtë ndihmë. Projektet kanë domethënie të rëndësishme, ruajtjen e ambientit, rregullimet e parkut Galicica, me qëllim të kemi një Maqedoni më të pastër”,- u shpreh ministri i Mjedisit Hapësinor, Sadulla Duraku.
Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor informojnë se në Maqedoni ka 86 zona të mbrojtura, që përfshijnë 9% të territorit të shtetit, por jo çdoherë miratohen rregullat për mbrojtjen e tyre.
Pritet me projektin e ri të plotësohen nevojat për udhëheqjen më të mirë me zonat dhe promovohet zhvillimi më i qëndrueshëm.
Përveç parqeve nacionale të Galiçnicës, Mavrovës dhe Pelisterit, projekti do të realizohet edhe në zonat e mbrojtura të cilat janë më pak të zhvilluara.
GAZMEND KURTISHI
