Maqedoni
Deskovska: ndryshime në Ligjin e arsimit sipëror, prioritet përmirësimi i cilësisë
13.07.2017 17:00
Ndryshime në Ligjin për arsim sipëror paralajmëroi sot MASh-i, me ç’rast filloi zyrtarisht debatet me grupet e punës me përfaqësues nga universitetet...

Ndryshime në Ligjin për arsim sipëror paralajmëroi sot MASh-i, me ç’rast filloi zyrtarisht debatet me grupet e punës me përfaqësues nga universitetet, sindikatat e arsimit dhe studentët.
Parashihen shumë ndryshime, në radhë të parë mënyra e punës së universiteteve, rregullimi i statusit të profesorëve dhe të organizatave studentore. Ligji i deritanishëm është i paqartë dhe dispozitat e tij janë ndryshuar shumë herë, kështu që as juristët nuk e dinë si të sqarojnë këtë materie të ndryshuar disa herë.
“Do të përfshihet statusi i organizimit të universitetit, a do të vazhdohet me procesin e centralizimit apo do të ketë decentralizim, do të shqyrtohen kompetencat e senatit, mënyrat e udhëheqjes me fakultetet, kthimi i statusit asistent, mënyrat e funksionit të organizatave studentore dhe shumë çështje tjera”,- deklaroi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska – Trenevska.
Ndërkohë, përfaqësues të Plenumit të profesorëve dhe studentëve mirëpritën këtë debat dhe shpresojnë se do ketë ndryshime të shumta me qëllim të përmirësimit të cilësisë.
“Plenumi i profesorëve do të përfaqësojë qëndrimet për autonomi faktike të universiteteve, jo vetëm deklarative, kompatibiliteti i sistemit tonë arsimor me atë evropian dhe shumë aspekte për organizimin e studentëve dhe menaxhimin e fakulteteve”,- theksoi Vllatko Konovar nga Plenumi i profesorëve.
“Trupi studentor i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” të jetë pjesë e universitetit dhe jo organizatë joqeveritare, këtë çështje do ta propozojmë në këtë takim”,- tha Teodora Sigelevska nga Plenumi i nxënësve.
Sipas ministres Deskovska, ndryshimet pritet të hynë në fuqi vitin e ardhshëm akademik.
FLUTURA LATIFI
