Maqedoni

Taravari: drejtori i FSSh-së nuk e respekton punën; Stefanovski: Fondi kryen punën profesionalisht

13.07.2017 16:17

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka paralajmëruar që deri në fund të javës do të shkarkohet drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Stefanovski...

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka paralajmëruar që deri në fund të javës do të shkarkohet drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Stefanovski, sepse nuk shkon në punë dhe e injoron Ministrinë e Shëndetësisë.
 
Taravari gjithashtu ka theksuar se ende nuk është vendosur se kush do ta zëvendësojë drejtorin aktual Stefanovski, por shtoi se është në kërkim të kuadrit kompetent, profesional dhe të ndërgjegjshëm.
 
Ministri Taravari vazhdon të këmbëngulë se në institucionet shëndetësore nuk është e nevojshme të jenë dy drejtorë, por vetëm një drejtor, gjithashtu edhe për tek Fondi Shëndetësor se duhet të ekzistojë vetëm një drejtor. Sipas ministrit, Fondi duhet të mos jetë institucion i ndarë me ministrinë, por pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë. 
 
I menjëhershëm ka qenë kundëreagimi i drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Stefanovski. Sipas tij, Fondi punon pa ndërprerë dhe sipas të gjitha rregullave fondi vazhdon të veprojë me përgjegjësi dhe profesionalizëm.
 
Stefanovski gjithashtu porositi ministrin e Shëndetësisë, ARBEN Taravari, që të mos bëjë defokusimin e opinionit dhe të merret me realizimin e projekteve të cilat i paralajmëroi paraprakisht dhe jo me shkarkimet e drejtorëve.  
 
Reagimi i drejtorit të FSShM-së vjen menjëherë pas paralajmërimeve nga ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, se i njëjti deri në fund të javës do të shkarkohet nga posti drejtor i Fondit Shëndetësor. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ