Ekonomi
Samiti i Triestes, marrëveshja ekonomike prej 500 milion euro; Samiti i Triestes, Xhentiloni: Ballkani, përzgjedhje strategjike e BE-së
13.07.2017 17:31
Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje ekonomike...

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje ekonomike, me të cilën parashihet zbatimi i shtatë projekteve me vlerë prej mbi 500 milion euro.
Investimet e këtilla vlerësohen si historike për shkak se i hapin rrugë krijimit të një tregu të përbashkët në rajon. Kjo thuhet në dokumentin përfundimtar të publikuar nga nikoqirja, Italia.
Kryeministri italian, Xhentiloni, tha se me këto mjete financiare do të ndërtohen rrugë, hekurudha etj.
“Porosia themelore e këtij Samiti është e qartë. Integrimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor është përzgjedhje strategjike dhe hap që nuk ka kthim prapa. Qëllimi i Italisë është që kjo të përforcohet dhe të përshpejtohet. Edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë anëtare, ne gjetëm mundësi reale që ekonomikisht t’ju ndihmojmë atyre. Është e pamundur që të shkohet nga një shtet në një shtet tjetër e të tejkalohet Ballkani Perëndimor. Për atë arsye konsideroj se marrëveshja transportuese që firmosëm këtu është e rëndësishme për të gjithë ne. Është një plan aksional për krijimin e një sfere ekonomike. Kjo nuk mund të pritet që të realizohet menjëherë nesër, por ne jemi të vendosur që plani të korrë sukses”,- deklaroi kryeministri i Italisë, Paolo Xhentiloni.
Në këtë shumë janë 194 milionë euro grande nga BE-ja dhe kredi të Bankës Investuese Evropiane dhe Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim. Sipas dokumentit përfundimtar, është premtuar edhe grand prej 11,4 milionë euro për projekte të energjetikës dhe transportuese.
Në kuadër të samitit është dhe një marrëveshje për ndarjen e një buxheti prej 48 milionë eurosh, që mund t’u jepen si kredi rreth 6000 sipërmarrjeve.
Shtylla të tjera për të cilat u diskutua ishin: integrimi ekonomik rajonal, zhvillimi i sektorit privat dhe SME-ve, kontektiviteti human, si politikat e përbashkëta për rininë, shkencën, lufta kundër korrupsionit dhe qeverisja e mirë, migrimi etj. Shtetet ballkanike janë thirrur që të përshpejtojnë angazhime për formimin e zonës së përbashkët ekonomike dhe tregtare.
Takimi i nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor në Trieste ishte me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjashtë shteteve ballkanike – BeH, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Pjesëmarrësit njëzëri konfirmuan mbështetjen për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa theksuan nevojën për përpjekje për reforma të reja në rajon.
Samiti i radhës mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Britani, vend që u shpreh i gatshëm të organizojë takimin, edhe pse vet është në rrugën e largimit nga blloku europian.
Mosmarrëveshjet mes shteteve ballkanike nuk kufizohen vetëm tek ato mes Kosovës e Serbisë, apo Maqedonisë dhe Greqisë, por edhe dy vendeve anëtare të bllokut, Sllovenisë dhe Kroacisë, që janë të përfshira në një zënkë të vjetër territoriale, që ende nuk ka epilog përfundimtar.
ERSAN PAJAZITI
