Maqedoni
Vazhdon debati për shkarkimin e Zvërlevskit. Tuntev: të shkurtojmë debatin që të fillojnë reformat. Dimovski: Ndërpresim debatin po të votoni ligjin tonë
13.07.2017 17:45
Për të dytën ditë radhazi, Kuvendi vazhdoi debatin rreth propozimit të qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit, Marko Zvërlevski...

Përderisa deputetët e shumicës e cilësojnë mandatin e Zvërlevski si “dekada e zezë e Prokurorisë”, deputetët e opozitës vazhdojnë ta mbrojnë atë si kryeprokuror të suksesshëm.
Për të shkurtuar debatin, i cili po zgjat dy ditë, ndërkohë për fjalë janë paraqitur dhjetëra deputetë. Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, u bëri thirrje deputetëve të shumicës dhe opozitës që të tërhiqen nga debati dhe të mundësojnë fillimin e reformave në gjyqësi.
“I ftoj kolegët e opozitës, lejoni të jemi efikas, në emër të dinjitetit të personit për të cilin diskutojmë dhe në emër të fillimit të procesit të reformave sa më shpejtë që të jetë e mundur. Por, edhe në emër të asaj që na sugjerojnë dhe rekomandojnë të gjithë miqtë, të mos i numëroj”,- deklaroi koordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tuntev.
Mirëpo deputetët e VMRO-DPMNE-së konstruktivitetin rreth shkarkimit të kryeprokurorit Zvërlevski e kushtëzoi me përkrahjen e shumicës për projektligjin për prokurori publike, me të cilin opozita kërkon që kryeprokurori të zgjidhet me propozim të opozitës dhe me shumicë të cilësuar.
“Unë bëj thirrje deri te deputetët e shumicës që këtu ta ndërpresim debatin dhe nesër në seancë të shqyrtojmë Ligjin për Prokurori Publike. Nëse ai ligj miratohet ashtu siç është propozuar ose me modifikime në drejtim të përmirësimit të tekstit, absolutisht jemi në dispozicion që të jemi korrektë dhe konstruktivë në këtë procedurë”,- u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Qeveria kërkon shkarkimin e kryeprokurorit Zvërlevski për shkak të heshtjes së Prokurorisë para krimit, gjatë mandatit të tij për vënie të Prokurorisë në shërbim të qeverisë Gruevski dhe përndjekje selektive.
“Për këtë arsye u deshtë që të ngrihet një prokurori speciale”,- nënvizoi përfaqësuesi i Qeverisë dhe deputetët e shumicës.
SHPËTIM NUREDINI
