Maqedoni

MPB: ish DSK e BSP, mijëra euro për dreka e darka

13.07.2017 18:19

Ministria e Punëve të Brendshme prezantoi fatura dhe llogari për dreka dhe darka...

Ministria e Punëve të Brendshme prezantoi fatura dhe llogari për dreka dhe darka të ish-udhëheqësve të MPB-së, DSK-së dhe BSP-së. 

Sipas shpenzimeve të dhëna në mënyrë ekipore në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2016, administrata e MPB-së ka shpenzuar mbi 15 milion denarë, në Byronë për siguri publike mbi 28 milion denarë, ndërsa në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim mbi 34 milion denarë. 

Përfaqësuesit e MPB-së theksuan se llogaria mesatare e një dreke ka arritur në 500 euro, ndërsa disa janë bërë në data specifike. Sipas kopjes së bashkëngjitur nga 12 prilli i vitit 2012, kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë te Liqeni i Smilkovës, DSK-ja në një restorant të Shkupit ka bërë llogari prej mbi 29 mijë denarësh. 

Në meny ka pasur specialitete të ndryshme. Në faturë shihet se janë shpenzuar mbi 5 mijë denarë vetëm për deserte. 

Përveç shpenzimeve në fatura, udhëheqësia e MPB-së, DSK-së dhe BSP-së disponon edhe me kartela zyrtare, për të cilat siç është theksuar, nuk kanë të dhëna sa është limiti ditor. 

Ish-drejtori i DSK-së nga viti 2008 deri në shkarkimin e tij, nga kartela zyrtare ka shpenzuar mbi 1 milion denarë, ndërsa zëvendësi i tij mbi 2 milion denarë. 

Ish-ministri i Punëve të Brendshme nga kartela zyrtare ka shpenzuar mbi 1 milion denarë. 

Drejtori i BSP-së në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2013 ka shpenzuar mbi 600 mijë denarë nga kartela zyrtare, ndërsa drejtori tjetër i BSP-së, që ka qenë nga viti 2013 deri në vitin 2016, ka shpenzuar afër 1 milion e 400 mijë denarë nga kartela zyrtare.

Faturat dhe llogaritë, sipas përfaqësuesve të MPB-së, tregojnë se ka indikacione për keqpërdorime të pozitës zyrtare, për çka theksuan se do të kërkohet revizion dhe hetim më i detajuar.