Ekonomi
Nga Samiti i Triestes, Maqedonia përfitoi 70 milion euro mjete të pakthyeshme
13.07.2017 19:04
Në Samitin e djeshëm të Triestes, Maqedonia doli përfituesi më i madh i grandeve të BE-së...

Nga vlera e përgjithshme prej 194 milionë euro grande të ndara për zhvillimin e infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor, vendi mori 70 milionë euro apo 36 për qind të vlerës së përgjithshme.
Sipas zëvendëskryeministrit të Qeverisë së RM-së i angazhuar për çështje ekonomike, Koço Angjushev, Maqedonisë për projekte infrastrukturore në 2-3 vitet e kaluara i janë bllokuar të gjitha grandet dhe kreditë për të cilat ka aplikuar, por kontaktet e vazhdueshme gjatë dy muajve të kaluar të qeverisë së re kanë dhënë frytet e nevojshme.
“Kur flasim për 70 milion eurot, duhet qartë të theksojmë se janë grande, mjete të pakthyeshme, ndihmë e drejtpërdrejtë e BE-së për qytetarët e Maqedonisë. Ne si qeveri e vlerësojmë këtë ndihmë dhe duhet të themi se kemi përgjegjësi që me të vërtetë të jemi të orientuar drejt reformave, jo vetëm për t’ju bashkuar BE-së, por për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të RM-së. Prandaj vlerësojmë se shkrirja e mjeteve është rezultat i njohjes së frymës reformuese të Qeverisë së re”,- deklaroi zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i angazhuar për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Angjushev njoftoi se grandet për Maqedoninë janë ndarë për pjesën e hekurudhës drejt Bullgarisë, që do të lidh Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë, lidhje infrastrukturore e cila, siç tha ai, vlerësohet tej mase nga Qeveria e Maqedonisë dhe BE-ja.
“Grandi është fituar për pjesën e hekurudhës drejt Bullgarisë, ne vlerësojmë se është e rëndësisë të veçantë lidhja nëpërmjet Korridorit 8. Në Korridorin 10 kemi rrjet të zhvilluar hekurudhor, mirëpo drejt lindjes dhe perëndimit rrjeti hekurudhor nuk është aq i zhvilluar dhe ju nëse dëshironi të shkoni në Sofje apo Tiranë, edhe pse janë seksione prej 200-245 km, juve ju duhet më së paku 4 orë të udhëtoni dhe atë ne duhet ta ndryshojmë”,- theksoi zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i angazhuar për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Gjithashtu Angjushev tha se ka pasur takim edhe me drejtorin e Bashkësisë Evropiane Energjetike, Janez Kopaç, në të cilin është gjetur një solucion që qytetarët e Maqedonisë të kenë tarifë të lirë ditore të energjisë elektrike, ndërsa Maqedonia t'i plotësojë të gjitha kushtet që i kërkon BE-ja.
GAZMEND KURTISHI
