Botë
Italia nën flakë, zjarret nga i nxehti, por edhe të qëllimshme
13.07.2017 19:48
Edhe Italia është përfshirë gjatë orëve të fundit nga rreziku i zjarreve...

Mbi 1200 vatra zjarresh janë regjistruar në territorin qendror e jugor të Italisë, duke shkaktuar djegien e dhjetëra hektarëve tokë e pyje.
Deri më tani mbi 500 vatra zjarri janë regjistruar në rajonin e Sicilisë, 260 në rajonin e Puglias, 250 në Kalabri e Kampania dhe 190 në rajonin e Lacios.
Sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile, harta e zjarreve e këtyre ditëve ka regjistruar rekordin e 10 viteve të fundit.
Trupa e forcave të rendit, të ushtrisë, të rojës pyjore e të zjarrfikësve janë aktivizuar me mjete ajrore e tokësore për shuarjen e vatrave të zjarrit e për t’i ardhur në ndihmë popullsisë së zonave.
Alarmuese paraqitet gjendja në ishullin e Sicilisë, ku për shkak të zjarrit që përfshiu zonën pyjore në komunën San Vito janë evakuuar nga deti rreth 600 pushues të një hoteli turistik.
Dramatike paraqitet dhe situata përreth vullkanit Vezuvio, në rajonin e Kampanias, ku rreth 200 hektarë tokë vegjetale është djegur nga flakët e zjarreve.
Por, jo vetëm temperaturat e larta të ditëve të fundit e thatësira janë shkaqet e këtyre vatrave zjarri.
Mjaft prej tyre janë zjarre të qëllimshme të shkaktuara deri më tani nga persona ende të paidentifikuar.
