Maqedoni

Osmani: Komisioni i anti-korrupsionit të parandalojë keqpërdorimet e resurseve shtetërore

14.07.2017 16:33

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit ka përgjegjësi të madhe në zbatimin e reformave...

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit ka përgjegjësi të madhe në zbatimin e reformave të cilat janë të rëndësishme për integrimet euroatlantike, deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
Andaj, sipas tij, ky komision duhet të krijojë të gjitha parakushtet me qëllim të ndarjes së shtetit nga partitë, si dhe të krijojë rregullativë për parandalimin e keqpërdorimit të resurseve shtetërore gjatë fushatës për zgjedhjet e ardhshme.
 
“Lufta kundër korrupsionit është parakusht i rëndësishëm për zhvillim normal të shoqërisë. Ka disa masa të rëndësishme të cilat janë paraparë në planin “3-6-9”, kryesisht që ka të bëjë me zgjedhjet lokale ku Komisioni shtetëror për luftë kundër korrupsionit ka kompetenca të rëndësishme në krijimin e parakushteve për ndarje të shtetit nga partia, për parandalimin e keqpërdorimit të resurseve shtetërore në fushatën parazgjedhore nga komunat, por edhe nga institucionet shtetërore”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
 
Kryetari i KShPK-së, Igor Tanturovski, tha se do ta informojë zëvendëskryeministrin Osmani në lidhje me realizimet e anti-korrupsionit dhe rekomandimet e marra nga institucionet ndërkombëtare.
 
Tanturovski u zotua se Komisioni për parandalim të korrupsionit punon në mënyrë të pavarur dhe profesionale. 
 
“Komisioni punon në pajtueshmëri me ligjet dhe pa ndikime politike. Ajo që shumë herë është prezantuar në opinion unë e kam demantuar në më shumë mënyra dhe mund të garantoj se Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit punon krejtësisht i pavarur dhe në përputhshmëri me Ligjin për parandalim të korrupsionit”,- u shpreh drejtori i KShPK-së, Igor Tanturovski.
 
Takimi i Osmanit me kryetarin dhe anëtarët e Komisionit anti-korrupsion u realizua në kuadër të zbatimit të planit aksionar të njohur si “3-6-9”.
 
Takimet e tilla me institucione të cilat luajnë rol kyç në realizimin e planit “3-6-9” do të vazhdojnë edhe më tej, paralajmëroi zëvendëskryeministri Osmani. 
 
ERSAN PAJAZITI