Maqedoni

Cipras: fillimisht zgjidhja e emrit, pastaj NATO; Vuçiq nuk e komenton deklaratën e Daçiqit për emrin kushtetues të Maqedonisë; Dimitrov: për emrin do të mbahet referendum

14.07.2017 17:09

Greqia, Bullgaria dhe Serbia vlerësojnë se stabilizimi i situatës së brendshme politike në Maqedoni...

Greqia, Bullgaria dhe Serbia vlerësojnë se stabilizimi i situatës së brendshme politike në Maqedoni, si dhe vazhdimi i dialogut për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e emrit, janë të nevojshme.
 
Kjo është porosia nga takimi trilateral mes kryeministrit grek, Aleksis Cipras, homologut të tij bullgar, Bojko Borisov, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të realizuar në Greqi.
 
Kjo, sipas tyre, do të hapë perspektivën për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.
 
Kryeministri grek, Tsipras, tha se Greqia dhe BE-ja mbështesin përpjekjet vendeve të Ballkanit për integrim në BE, por me plotësimin e kushteve të nevojshme.
 
Lidhur me kontestin për emrin me Maqedoninë, Tsipras theksoi se kjo çështje duhet të zgjidhet para se Maqedonia të anëtarësohet në NATO.
 
“Kontesti midis Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit duhet të zgjidhet përpara anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Vendimet e Këshillit të Evropës dhe të NATO-s janë të qarta, fillimisht duhet të zgjidhet çështja e emrit, në mënyrë që të jetë e pranueshme për të dyja palët. Ministrat e jashtëm të të dyja vendeve kanë kontakte të vazhdueshme, ndërsa shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias, do të bisedojë me ndërmjetësin, Methju Nimic”,- deklaroi kryeministri grek, Aleksis Cipras.
 
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk deshi të komentojë deklaratën e shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, se njohja e Maqedonisë nga ana e Serbisë me emrin kushtetues ishte gabim.
 
“Ne nuk duhet t’i zgjidhim problemet të cilat as të tjerët nuk janë në gjendje t’i zgjidhin. Po të doja ta kritikoj ose përgënjeshtroj Daçiqin, atë do ta bëja deri më tani. Por, më duket se këtë nuk e bëra”,- tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Në një intervistë për Rojterss, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë ka paralajmëruar se në Maqedoni do të mbahet referendum për emrin, pasi që kjo çështje është shumë komplekse. 
 
"Kjo është një çështje shumë komplekse që përfshin emocionet dhe identitetin. Për ne, për të trajtuar këtë çështje, duhet të kemi një proces që do të krijojë një pozicion kombëtar mbi këtë çështje. Definitivisht do të ketë një referendum”,- ka thënë ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, për Rojterss. 
 
Ai është i vetëdijshëm se nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje brenda natës, por do të jetë një proces i cili do të zhvillohet hap pas hapi. 
 
SANIJE DURAKU