Maqedoni

Selmani: më së paku 1% mjete për RTVM-në; Mançevski: RTVM do të jetë financiarisht e pavarur

14.07.2017 17:28

Servisi Publik nuk mund të ketë pavarësi të plotë pa i siguruar mjetet e mjaftueshme financiare...

Ky është qëndrimi i disa organizatave të gazetarëve të vendit për të cilin janë të mendimit se reformat në media duhet të fillojnë sa më parë, por kjo nuk duhet të shkojë në dëm të gjetjes së buxhetit të mjaftueshëm që i duhet RTVM-së.
 
Qeveria duhet të krijojë kushte për debat dhe propozime për reformat në media, por assesi nuk guxon të caktojë vetë shumën e nevojshme për Servisin Publik.
 
“Mjetet financiare të parapara në rebalancin e buxhetit prej 0.5% ose rreth 3 milion euro nuk mjaftojnë as për tre muajit e fundit të këtij viti dhe nuk e zgjidhin problemin e kamotshëm me pavarësinë e  RTVM-së. Nuk ka arsyetim nëse dëshironi reforma, gjeni mjetet e nevojshme prej më së paku 1% për Servisin Publik”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Ministri i Administratës Publike, Damjan Mançevski, premton se qëllimi kryesor i kësaj qeverie mbetet që Servisi Publik të jetë financiarisht i pavarur dhe të ketë për të gjithë vitin para të garantuara për punë.
 
Ai gjithashtu premton se asnjë masë nuk do të ndërmerret në të ardhmen pa u konsultuar paraprakisht me të gjithë ekspertët e huaj dhe të vendit për reforma në media. 
 
“Propozimet që i japim nuk duam t’i imponojmë si zgjidhje përfundimtare për reforma në media ose në RTVM. Ne parapëlqejmë që në këtë drejtim që bashkërisht përmes debatit publik të gjejmë zgjidhjet më të mira se prej cilit vend do t’i gjejmë  ose shkurtojmë për t’i dhënë mjetet e nevojshme për RTVM-në”,- u shpreh ministri i Administratës, Damjan Mançevski.
 
Deri në fund të muajit gusht në Maqedoni duhet të mbërrijë edhe grupi i parë i ekspertëve të PRIBE-së, i cili pritet të japë propozimet e tyre për reformat e para në media dhe për Servisin Publik. 
 
REXHEP QAMILI