Maqedoni
Kuvendi hap seancë të re, shkarkimi i Zvërlevskit - pezull
14.07.2017 17:42
Debati për shkarkimin e kryeprokurorit Zvërlevski u kapërcye. Kuvendi hapi seancë të re...

Debati për shkarkimin e kryeprokurorit Zvërlevski u kapërcye. Kuvendi hapi seancë të re, ku parashihet përcaktimi i nënkryetarëve të Kuvendit, zgjedhja e sekretarit gjeneral të Kuvendit dhe zëvendësve të tij si dhe formimi i shumë trupave dhe delegacioneve parlamentare.
Për shkak të vonesës së ministrit të Financave, Dragan Tevdovskit, Xhaferi hoqi nga rendi i ditës Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2017, me procedurë të shkurtuar.
“Le të mësojnë që në fillim, ata që janë përfaqësues duhet të jenë në kohë këtu. Përfaqësuesi i qeverisë duhet ta pret deputetin dhe kuvendin, jo anasjelltas, Kuvendi ta pret përfaqësuesin e Qeverisë. Këtë nuk do ta lejoj, ua thashë që ditën e parë”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ministri i Financave u arsyetua se i është përgjigjur ftesës në kohë, por keqkuptimi ka ndodhur pas shtyrjes së orës për fillimin e seancës.
“Duhet të them se unë isha këtu, saktë, në kohën kur ishte caktuar seanca. Me rëndësi është që të zbatojmë reformat për të cilat e kemi fituar besimin. Prandaj, kërkoj që propozim/ligjin për plotësimin e Ligjit për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2017, të vihet në rend dite me procedurë të shkurtuar”,- u shpreh ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
Kuvendi hodhi poshtë propozimin e deputetit të VMRO-DPMNE-së që në rend dite të vihet për diskutim edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Momenti pikant i seancës së sotme ishte veprimi i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili u tërhoqi vëmendjen deputetëve që flisnin nga vendi, me vendosjen e një mbishkrimi “Ju lutem për qetësi”.
SHPËTIM NUREDINI
