Maqedoni
Plan-veprimi “3-6-9”, Zaev: shansi për të dalë nga kriza politike; Xhaferi: plani, bazë e mirë për gjithëpërfshirje; Osmani: sfidë për institucionet; Dimovski: nuk e hedhim, por jo mbështetje të plotë; Ibraimi: do të dorëzojmë pr/ligj për gjuhën shqipe
14.07.2017 18:00
Maqedonia ndodhet para një shansi të mirë për ta shëruar krizën politike...

Maqedonia ndodhet para një shansi të mirë për ta shëruar krizën politike, tha kryeministri, Zoran Zaev, gjatë debatit mbi plan-veprimin e qeverisë “3-6-9” në Komisionin për Çështje Evropiane pranë Kuvendit.
Edhe kryepalamentari, Talat Xhaferi, planin e ka vlerësuar si një bazë të mirë, ndërsa zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, tha se me zbatimin e tij do të përballen institucionet.
“Ky është momenti i një energjie pozitive që nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta preku edhe Brukselin dhe botën demokratike. Kjo u vërtetua edhe në Samitin e Triestes. Liderët e BE-së i dhanë mbështetje të plotë Maqedonisë. Të mos e lëshojmë këtë moment”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
“Plani i propozuar qeveritar i njohur si “3-6-9”, si edhe Programi qeveritar 2020, janë bazë e mirë për krijimin e inkluzionit të vërtetë ndërmjet të gjitha subjekteve politike parlamentare. Inkluzion ku vendin e vetë duhet ta kenë opinion ekspert dhe akademik”,- theksoi kryeministri, Talat Xhaferi.
“Sfida do të jetë bashkërendimi i institucioneve në realizimin e masave dhe detyrimeve që dalin nga ky plan, për shkak se 73 masa parashihen në pjesën e parë të planit “3-6-9”, një pjesë të vogël prej tyre qeveria drejtpërdrejt mund t’i realizojë, por një pjesë nga këto masa duhet t’i realizojnë institucionet”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Përfaqësuesit e opozitës dolën me këndvështrimin e tyre për plan-veprimin e qeverisë, duke u përqendruar edhe në miratimin e Ligjit për gjuhët.
“Ne nuk kemi ndërmend të jemi kundër planit, por edhe s’kemi ndërmend ta pranojmë plotësisht. Do të kërkojmë diskutim për secilën pikë. Apeloj që të mos habitemi nga veprimet e cilësdo parti gjatë procesit të përgatitjes që ditë më herët të fillojnë konsultat me grupet e deputetëve lidhur me Ligjin për gjuhët”,- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
“Kemi pritur që shumica parlamentare dhe qeveria të na kishin konsultuar edhe ne për përmbajtjen e këtij ligji, por ata ende nuk kanë konstatuar se është e nevojshme. Me që ne s’kemi parë asnjë propozim-ligj, jemi duke e hartuar një ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe në momentin që ne do ta vlerësojmë se është i duhur, do ta propozojmë në Kuvendin e Maqedonisë”,- tha Zekirija Ibraimi nga Lëvizja “Besa”.
Në përgjigjën e tij lidhur me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, kryeministri Zaev tha se partnerët e koalicionit kanë qëndrim të qartë rreth kësaj çështje dhe qëndrojnë pas miratimit të tij, ndërsa zëvendëskryeministri Osmani tha se ky përbën një moment ideal për ta miratuar ligjin me konsensus.
NAIM RAMADANI
