Maqedoni
Bisedimet për drejtorët në përfundim e sipër, pritet zyrtarizimi i tyre
14.07.2017 18:34
Përfunduan negociatat midis partnerëve të qeverisë për ndarjen e pozitave të drejtorëve në institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore...

Përfunduan negociatat midis partnerëve të qeverisë për ndarjen e pozitave të drejtorëve në institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, të cilat janë drejt fundit përfundimit, konfirmuan nga BDI.
Bujar Osmani nga BDI thotë se zgjidhjet janë pothuajse të kristalizuara, por edhe pak do të pritet zyrtarizimi i tyre.
“Jemi në bisedim e sipër, nuk ka ndonjë afat ligjor për këtë çështje. Jemi në përfundim të vendimeve në ato resore ku ka vendime politike, natyrisht nuk do të hymë shumë thellë në çështjen e administratës, sepse dëshirojmë si administratë të vazhdojë profesionalisht, por aty ku ka pozicionime me vendime politike aty jemi duke i diskutuar në nivel të partnerëve të koalicionit dhe jemi në përfundim e sipër”,- deklaroi Osmani.
Nga LSDM-ja theksuan se është veçanërisht e rëndësishme që të gjithë të kenë mundësi të barabartë për të aplikuar për punë në administratën publike dhe për këshillat drejtues.
LSDM thotë se qytetarët nuk do të ndajnë para nga xhepi i tyre për t’i marrë certifikatat e nevojshme të njohjes së gjuhës angleze.
“Këto bisedime janë në rrjedhë dhe do të vazhdojnë normalisht, kjo nuk është diçka që mbaron këtu, por është pjesë e marrëveshjeve normale mes partnerëve të koalicionit. Ajo që gjithashtu e marrim parasysh janë dispozitat ligjore për emërimin e personave të caktuar udhëheqës në pozita të caktuara në institucione të ndryshme në mënyra të ndryshme. Ne duam të propozojmë dhe një pjesë e deputetëve do të propozojnë amendamente në Ligjin për nëpunës administrativë, me të cilin nuk do t’i paguajnë nga xhepi shpenzimet për kontroll të njohurisë së gjuhës së huaj, testi psikologjik etj”,- tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damian Mançevski.
BESIM ABDULLAI
