Botë

Italia në flakë, shënohen dy viktimat e para, u dogjën të gjallë

14.07.2017 20:03

Dy persona kanë humbur jetën nga zjarret që kanë përfshirë Italinë...

Mediat vendase bëjnë me dije se dy viktimat janë regjistruar në Kalabri.

Ata janë të moshës 68 dhe 69 vjeç, të cilët në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve u dogjën të gjallë.

Ndërkohë, mbi 1200 vatra zjarresh janë regjistruar në territorin qendror e jugor të Italisë, duke shkaktuar djegien e dhjetëra hektarëve tokë e pyje.

Deri më tani mbi 500 vatra zjarri janë regjistruar në rajonin e Sicilisë, 260 në rajonin e Puglias, 250 në Kalabri e Kompania dhe 190 në rajonin e Lacios.

Sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile, harta e zjarreve të këtyre ditëve ka regjistruar rekordin e 10 viteve të fundit.

Trupa të forcave të rendit, të ushtrisë, të rojës pyjore e të zjarrfikësve janë aktivizuar me mjete ajrore dhe tokësore për shuarjen e vatrave të zjarrit e për t’i ardhur në ndihmë popullsisë së zonave.

Alarmuese paraqitet gjendja në ishullin e Sicilisë, ku për shkak të zjarrit që përfshiu zonën pyjore në komunën San Vito, janë evakuuar nga deti rreth 600 turistë që po pushonin në një hotel aty pranë. 10 prej pushuesve kanë marrë ndihmë mjekësore për shkak të intoksikimit nga tymi.

Dramatike paraqitet dhe situata përreth vullkanit Vezuvio në rajonin e Kampanias.

Lidhur me shkaqet e zjarreve, prokuroria e Napolit ka hapur një proces hetimor ndaj disa vatrave të zjarrit në territorin përreth Vezuvios e në disa komuna përreth duke u dokumentuar me imazhe e video të territorit.