Propozim rebalanci i buxhetit, Ramadani: Më tepër social se sa zhvillimor

15.07.2017 14:38

Me rebalancin e propozuar nuk priten të ketë ndryshime të mëdha gjatë këtij viti.....

Me rebalancin e propozuar nuk priten të ketë ndryshime të mëdha gjatë këtij viti, vlerëson profesori universitar Nehat Ramadani, duke pasur parasysh se shpenzimet gjatë pjesës së pare të viti kanë limituar qeverinë actuale  të propozojë një reblanc buxheti në përputhje të plotë me politikat e kësaj qeverie.

Ramadani, rebalancin e buxhetit të propozuar nga ana e qeverisë e vlerëson si rebalanc i cili më tepër favorizon komponentën  sociale.

“Me këtë rebalanc parashihet që të zgjidhen disa çështje sociale, por që nuk kanë ndonjë impakt shumë të madh ndaj shpenzimeve siç mund të jenë çështja e punëtorëve që ishin tepricë teknologjike,  subvencionimi i rrogave minimale prej 12 mijë denarëve. Rritja ekonomike nëpërmjet këtij rebalanci është zvogëluar nga 3% në 2.2% që sipas meje shton edhe një dozë paksa të pesimizmit për rritjen ekonomike në këtë periudhë të ardhshme” – tha profesori universitar, Nehat Ramadani.

Ramadani shton se për ta bërë më tepër populist këtë rebalanc, qeveria përveç shkurtimeve të udhëtimeve zyrtare, reklamave të shtrenjta ka shkurtuar edhe buxhetin e kabinetit të kryeministrit. Sipas Ramadanit qeveria duhet të koncentrohet në hartimin e buxhetit të vitit të ardhshëm dhe të realizojë programin ekonomik të cilin e  ka premtuar para qytetarëve. 

“Duhet më tepër ti jepet rëndësi transparencës buxhetore. Unë me një fjalë këtë buxhet do ta quaja buxhet i harrnuar, ndërsa viti i ardhshëm është vit kritik sipas meje që kjo garniturë qeveriatare do të duhet të programojë buxhet i cili duhet të bëjë ndryshimet e vërteta, do të thotë ndryshime të cilat do të ndjehen edhe nga popullata dhe shoqëria jonë në përgjithësi” – u shpreh profesori universitar, Nehat Ramadani.

Përmes propozim rebalancit buxhetor planifikohet rritje ekonomike në 2,2%, kurse deficiti buxhetor është I projektuar të jetë në 2,9% nga BPV. Gjatë prezentimit të propozim rebalancit të buxhetit, Zaev tha se bazë kryesore ka qenë shkurtimi i shpenzimeve jo produktive. (Ersan Pajaziti, TVM2)