TESTIMI EKSTERN

Nxënës e mësues përballen me gabime në testimin ekstern

06.06.2014 16:54

Pyetje të paqarta, të përkthyera gabimisht janë evidentuar edhe në shkollën e mesme profesionale të Autotrafikut. Profesorët thonë se nxënësit vazhdimisht paraqesin ankesa të natyrave të ndryshme..............

Problemet në testimin ekstern nuk kanë të ndalur. Përveç mangësive të shumta gjatë testimit, ky projekt është përballur edhe me faktin se as profesorët nuk dinë tu përgjigjen pyetjeve të parashtruara.

Pyetje të paqarta, të përkthyera gabimisht janë evidentuar edhe në shkollën e mesme profesionale të Autotrafikut. Profesorët thonë se nxënësit vazhdimisht paraqesin ankesa të natyrave të ndryshme.  

“Parregullsi, mangësi gjatë përkthimit prej maqedonishtes në shqip, kanë paraqitur nxënësit vërejtje për pyetje të pakuptimta”, tha profesori Isa Ilazi.

Nxënësit të revoltuar thonë se më shumë se dhjetë pyetje nga testimi kanë qenë të paqarta ose nga materiali të cilin nuk e kanë hasur gjatë vitit.

“Kemi pas pyetje në maqedonisht dhe unë do të bej ankesë për gjuhën shqipe”, theksoi një nxënës.

“Ka pasur dhjetë pyetje të paqarta, gabime gjuhësore, andaj ne do të shfrytëzojmë të drejtën se notat na shënohen në dëftesë”, u shpreh një nxënës tjetër.

“Kemi pasur pyetje të cilat nuk i kemi hasur në material, andaj do të ankohem”, potencoi një nxënës.

Testatorët u bëjnë thirrje nxënësve që të kenë kujdes gjatë shkarkimit të pyetjeve, që të mos ketë pyetje të profileve tjera.

“Luten nxënësit që të zbresin testet nga lëndët profesionale, që të mos hasin në pyetje të panjohura”, tha testatorja Florida Rexhepi.

Ankesat për pyetjet duhet të parashtrohen deri te Qendra Shtetërore e Provimeve, ndërsa nga MASH kanë përsëritur se pyetjet kontestuese do të minusohen nga numri total i pyetjeve. (Flutura Latifi - Rahimi, TVM2)