Shkëndija prezanton trajnerin e ri Roj Ferençina

06.06.2014 17:24

Kroati Roj Ferençina, edhe zyrtarisht është promovuar si trajner i ri i skuadrës së Shkëndisë..........

Kroati Roj Ferençina, edhe zyrtarisht është promovuar si trajner i ri i skuadrës së Shkëndisë. Pas spekulimeve të shumta për teknikun e ri të kuqezinjëve nga Tetova, në fund, kryesia vendosi që kroati 44 vjeç të jetë pasardhësi i Shpëtim Duros, në krye të stafit teknik të Shkëndija.

Ferençina, është ish futbollist i Dinamo Zagrebit, Inter Zapreshiçit, Marsonija dhe Sllaven Bellupos, skuadër tek e cila e kryente edhe detyrën e trajnerit. Para se të vij te Shkëndija, Ferençina, kishte ushtruar edhe ekipin e Vinogradarit. Së bashku me drejtuesit, shpresojmë të arrijmë që ti realizojmë qëllimet, është shprehur gjatë prezantimit të tij, Ferençina.

“Jam i kënaqur që jam këtu dhe për faktin që emërohem trajner i ri i Shkëndijës. Kemi patur bisedime korekte me drejtuesit dhe më vjen mirë që në fund gjithçka përfundoi me sukses dhe firmosje të bashkëpunimit. Jam njoftuar me planet e ekipit, me ambiciet dhe gjithë atë që ndodh në klub dhe shpresoj që së bashku të arrijmë të realizojmë qëllimet që pronarët kanë vendosur për përiudhën që pason”, është shprehur trajneri i ri i Shkëndijës.

Në promovimin e trajnerit të ri, njeriu numër një i Shkëndisë, Jetmir Bexheti, tha se klubi ka vendosur për këtë trajner, sepse bëhet fjalë për një strateg të ri, ambicioz dhe modern, i cili është I nevojshëm që skuadra të arrijë rezulate positive.

“Kemi lënë pas një periudhë të mundimshme dhe shumë intensive. Jemi të vetëdijshëm për padurimin që u krijua në opinion dhe në mesin e tifozëve tanë, mirëpo ne nuk guxonim të lejonim të biem pre e kësaj euforie, pasi një klub profesionist nuk vepron ashtu. Pas sigurimit të pjesëmarjes në kualifikimet për Liga Europa, nuk kemi patur shumë kohë për të festuar, pasi menjëherë është dashur të nisim përgatitjet për ate që na pret në të ardhmen. Në këtë drejtim, shumë e rëndësishme për ne ishte gjetja e një trajneri kualitativ, i cili do të plotësonte krieteriumet e vendosura nga drejtuesit dhe pronarët. Sot, jemi krenar që këtu me ne kemi z. Roj Ferençinan, të cilin po e promovojmë si shef të ri të stafit teknik të KF Shkëndija, me të cilin kemi firmosur kontratë një vjeçare. Trajnerit të ri I urojmë mirëseardhje, me shpresë që së bashku do të ndajmë shumë momente gëzimi në të ardhmen”, është shprehur Bexheti.

Shkëndija, nën prirjen e trajnerit të ri, në orën 17:00 e ka mbajtur edhe stërvitjen e parë, ndërsa skuadër nesër do të niset për në Strugë, ku gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do të zhvillohet faza e parë përgatitore. (Mustafa Ademi, TVM2)