Tiranë: Reformat në drejtësi, Ruiz Calavera: “Vettingu nis në shtator”
Zyrtarisht procesi i Vettingut në Shqipëri....

Zyrtarisht procesi i Vettingut në Shqipëri për gjyqtarët dhe prokurorët në kuadër të reformës në drejtësi pritet të nisë në muajin shtator.
Kryesuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për reformën në drejtësi, Genoveva Ruiz Calavera në një intervistë dhënë për DW u shpreh optimiste për këtë. Ajo thotë se sa më shpejt që të nisë ky proces, aq më mirë është.
Calavera sqaron se roli i ndërkombëtarëve është vetëm vëzhgues dhe se procesi varet krejtësisht nga strukturat vendase.
Calavera thotë se procesi i vettingut është padyshim ndër përpjekjet më të ndërlikuara në axhendën aktuale të reformave. Dorëheqjen e disa prokurorëve dhe gjyqtarëve për të shmangur verifikimin, Calavera e quan si rezultat të parë të vettingut, ende pa nisur zyrtarisht.
Sipas kryesueses së misionit ndërkombëtar të monitorimit, shtyllat e vettingut janë tre.
“E shkuara, pasuritë dhe vlerësimi i aftësive profesionale, që do të jenë të detyrueshme dhe do të kryhen për secilin anëtar të gjyqësorit”- ka deklaruar Genoveva Ruiz Calavera.
