Nesër fillon debati për ribalancin e buxhetit, opozita parashtron rreth 1000 amendamente
Kuvendi, të hënën, fillon debatin rreth propozimit....

Kuvendi, të hënën, fillon debatin rreth propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për këtë vit.
Debat i gjatë dhe i ashpër pritet të ndodh në Komisionin për Financa dhe Buxhet, nëse merret parasysh qasja e deritanishme e opozitës dhe fakti që ajo ka parashtruar rreth 1000 amendamente.
Sipas ribalancit të propozuar shkurtimet e përgjithshme janë rreth 47 milionë euro. Për të plotësuar disa nga premtimet zgjedhore, shkurtimet e para, rreth 10%, do të jenë nga shpenzimet joproduktive, si: udhëtime, reprezentacion, reklama dhe promovimet ekonomike.
Rreth 7 milonë euro, shkurtohet buxheti i kabinetit të kryeministrit, por shkurtime do të ketë edhe kabineti i Presidentit edhe Kuvendi.
Nga ribalanci do të përfitojë MPJ, Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia për Kundërzbulim, por një pjesë e madhe e buxhetit nga rebalianci do të shkojë për Fondin për Siguri Pensionale dhe Invalidore, për të mundësuar pagesën e rregullt pensioneve dhe ndihmave sociale.
Me ribalancin e buxhetit parashihet të zgjidhet edhe problemi i punëtorëve të firmave të falimentuara, masë nga e cila do të përfitojnë rreth 3000 persona; para për heqjen e taksës për radiodifuzion dhe subvencione për pagën minimale që ajo të arrijë në 12 000 denarë.
Fondi për sigurim shëndetësor do të përfitojë 600 milionë denarë, për të përmirësuar shërbimet shëndetsore.
Me ribalancin e parë të buxhetit pritet të zgjidhet edhe problem me deponinë në Tetovë.
Rritja ekonomike pritet të shënojë rënie, nga 3% në 2.2 % ndërsa deficiti projektohet në 2.9%.
Procedura parlamentare pritet të zgjasë deri në fund të korrikut, ndërsa miratimi i ribalancit të ndodh ditët e para të gushtit, para pushimit kolektiv të Kuvendit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
