Maqedoni

Fillon rekonstruimi i rrugës kryesore në Gllumovë

17.07.2017 15:31

Fillon rekonstruimi i rrugës kryesore në Gllumovë të komunës së Sarajit...

Me projektin është paraparë asfaltimi i rrugës dhe ndërtimi i trotuareve në gjatësi prej 1 kilometra.
 
Ndërtimi i kësaj rruge është me rëndësi të madhe për banorët e komunës së Sarajit, por edhe për zhvillimin e turizmit, pasi do të mundësojë lëvizje më të lehtë deri në qendrën rekreative në Matkë. 
 
“Duke pasur parasysh që rruga tani është në një gjendje katastrofale, një kohë të gjatë është bërë sanimi i gropave, tani veç më ka ardhur koha që të shtrohet asfalt i ri. Pas mbarimit të asfaltimit do të fitohet një rrugë e mirë, e cila do të jetë më e sigurt dhe e cila me të vërtetë do t’u mundësojë banorëve të Gllumovës një jetesë më të mirë. Megjithatë, përveç banorëve të Gllumovës, këtë rrugë do ta shfrytëzojnë edhe banorët e Shishovës, Matkës, por gjithashtu edhe turistët të cilët vinë të vizitojnë qendrën rekreative “Matka”, ashtu që është rrugë me rëndësi të madhe”,- deklaroi kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
“Bëhet fjalë për gjatësi prej diku 1 kilometra, do të rekonstruohet, respektivisht do të shtrohet krejtësisht rruga me asfalt. Gjithashtu pjesë e këtij projekti është edhe rekonstruimi i trotuareve. Përveç që do të garantojë një siguri më të madhe për banorët e këtij vendbanimi dhe për të gjithë banorët që frekuentojnë në këtë pjesë të komunës, gjithashtu rekonstruimi i kësaj rruge është shumë me rëndësi për ne, për shkak se jam shumë i sigurt që do të ndihmojë edhe në zhvillimin e turizmit”,- u shpreh kryetari i komunës së Sarajit, Bekim Murati.
 
Vlera e këtij investimi është 10 milion denarë të siguruara nga buxheti i qytetit të Shkupit dhe punët ndërtimore do t’i kryejë NP “Rrugët dhe rrugicat”. 
 
Ndërkohë, kryetari i komunës së Sarajit, Bekim Murati, tha se prioritet kryesor i kësaj komune është vënia në funksion e liqenit artificial Treska, për të cilin po punohet intensivisht, por nuk konkretizoi se kur pritet të mbarojë ky projekt.
 
BELINDA KOKA-ADEMI