Maqedoni
Fillon rregullimi i shtratit të lumit në Likovë
17.07.2017 16:13
Edhe zyrtarisht kanë filluar punimet për rregullimin e shtratit të lumit të Likovës në gjatësi prej 1.8 kilometra...

Edhe zyrtarisht kanë filluar punimet për rregullimin e shtratit të lumit të Likovës në gjatësi prej 1.8 kilometra, që kalon përmes lagjes Dardania e deri në lagjen rome Sredorek.
Bëhet fjalë për një projekt kapital që kap shumën prej mbi 2 milion euro të financuara nga komuna e Kumanovës dhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor me nga 200 mijë euro, kurse shuma tjetër është siguruar nga bashkësia ndërkombëtare përmes UNDP-së.
Me rregullimin e këtij shtrati Kumanova eviton rreziqet nga vërshimet eventuale.
“Falënderoj ministrin, Sadulla Durakun, Luiza Vintonin dhe ambasadoren e Japonisë për ndihmesën e ofruar rreth rregullimit të shtratit të lumit të Likovës”- tha kryetari i Kumanovës, Zoran Damjanovski.
“Kahmoti qytetarët e kanë pritur këtë projekt, pasi që me këtë projekt evitohen mundësitë për vërshime në qytetin Kumanovës. Ne edhe më tutje do të bashkëpunojmë me UNDP-në dhe do të realizojmë edhe projekte të tjera në të mirë të qytetarëve”,- tha ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sadulla Duraku.
“Evitimi i katastrofave dhe vërshimeve paraqet prioritet për UNDP-në sikur për këtë lëmi këtu në Kumanovë po ashtu edhe për territorin e Republikës së Maqedonisë, sepse vërshimet paraqesin rrezik të madh për jetën e qytetarëve”- tha Luiza Vinton nga UNDP.
“Ndjej kënaqësi të madhe që jam prezente në fillimin e këtij projekti, që do të thotë evitim të vërshimeve në Kumanovë”- theksoi ambasadorja e Japonisë, Keiko Henada.
Delegacioni vizitoi edhe Likovën, ku drejtpërsëdrejti u njoftua me punimet rreth rregullimit të shtratit të lumit në fshatin Likovë, si dhe rregullimin e rrugës nga fillimi i liqenit të Gllazhnjës e deri në Dumanoc.
NEXHAT AQIFI
