Maqedoni
Gjykata e Apelit shqyrton ankesat e PPS-së, të akuzuarit nga PPS paraqiten në Gjykatë
17.07.2017 17:34
Ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijallkov, para gjykatësve të Apelit e dha fjalën se nuk e ka në plan që të ikë nga Maqedonia...

Ai njëherit është i akuzuar në lëndët “Target” dhe “Fortesa” për shkatërrimin e sistemit të ndjekjes së përgjimeve.
Ai kërkoi t’i kthehet pasaporta dhe u shpreh i bindshëm se Gjykata do të sjellë vendim të drejtë. Avokati mbrojtës nuk komentoi para kamerave.
Në rastet “Target” dhe “Fortesa” për shkatërrimin e sistemit të ndjekjes së përgjimeve, Gjykata e Apelit shqyrtoi tre ankesa të PPS-së kundër vendimeve të Gjykatës Penale të mos caktohet arrest edhe për tre të akuzuar në DSK.
“Për të akuzuarin, Goran Grujevski, ka vepra penale për të cilat mund të ketë burgim prej 5 viteve e më shumë, kjo nënkupton se për të ekzistojnë tre arsye për të cilat mund të vendoset masa paraburgim për shkak të përsëritjes së veprës dhe ndikim te dëshmitarët dhe rreziku nga ikja, ndërsa për të akuzuarin Mijallkov mund të përcaktohet paraburgim vetëm për rrezik nga ikja”,- deklaroi Lençe Ristovska nga PPS.
Në gjykatë u paraqit edhe koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, i akuzuar për shkatërrimin e materialit zgjedhor. Edhe për këtë rast PPS kërkoi paraburgim, sepse dyshon se do të ndikojë tek dëshmitarët.
“Jo vetëm që ekzistojnë rrethana që tregojnë për atë se i akuzuari dhe ai tjetri që ishte prezent mund të ndikojnë tek dëshmitarët gjatë procesit, por ekziston edhe frika e dëshmitarëve për sigurinë e tyre personale dhe për sigurinë e familjeve të tyre”,- tha Fatime Fetai nga PPS.
“Unë jam i pafajshëm dhe pafajësia ime do të tregohet në procedura tjera, sot jam i pranishëm që t’i shërbej drejtësisë për procedura tjera, lidhur me çështjen do të bisedoni me përfaqësuesin tim”,- theksoi Ejup Halimi nga BDI.
Gjykata e Apelit e refuzoi kërkesën për paraburgim të PPS-së për të akuzuarin në rastin “Total” dhe të njëjtit iu mor pasaporta.
Pa pasaporta mbeten edhe të akuzuarit e rasti “Traektoria”.
FLUTURA LATIFI
