Maqedoni
Në Komisionin financa dhe buxhet filloi debati për rebalancin, Tevdovski: të shkurtohen shpenzimet joproduktive; Kuzmanovska: nuk është buxhet reformator; Kasami: shqiptarët nuk e marrin hisen e tyre; Ismaili: projekte me interes për shqiptarët
17.07.2017 18:09
Në Komisionin amë për financa dhe buxhet filloi debati në lidhje me propozim-rebalancin e buxhetit...

Në prezantimin e propozim-rebalancit para deputetëve, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, tha se qëllimi kryesor i këtij rebalanci është shkurtimi i shpenzimeve joproduktive dhe krijimi i kushteve për realizimin e politikave të qeverisë së re.
“Mundësia e vetme e shëndoshë për rebalancin ishte zvogëlimi i shpenzimeve joproduktive, të cilat janë në duart e qeverisë, siç janë udhëtimet zyrtare, reprezentacionet, promovimet ekonomike dhe marketingu. Shkurtimi i shpenzimeve joproduktive të qeverisë siguroi mundësi për ndërmarrjen e masave të reja të cilat ofrojnë mbështetje për qytetarët dhe kompanitë vendore, ato mjete janë: paga minimale, vendimi për punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara, mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për bujqit e kështu me radhë”,- tha ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
Por, për opozitën shkurtimi i mjeteve është tendencioz. Liljana Kuzmanovska tha se me rebalancin e propozuar po konfirmohet se qeveria nuk është reformatore.
“Ajo që mund të them është se ky nuk është buxhet reformator, për shkak se sigurohen mjete për rroga pothuajse në të gjitha agjencitë dhe trupat rregullatorë, pra për punësime të reja. Duke pasur parasysh të kaluarën, ne e kemi parë që ato punësime ishin punësime të pastra partiake dhe punësime të personave që marrin pjesë në Revolucionin Laraman”,- u shpreh Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE.
Lëvizja “Besa” e konsideron buxhetin si dështim në arritjen e objektivave të qeverisë së re. Nga “Besa” gjithashtu këtë rebalanc e kanë quajtur dështim të partive shqiptare sa i përket marrjes së kulaçit që i takon palës shqiptare.
“Shqiptarët edhe në këtë qeveri mbetën të papërfaqësuar dhe as që mund të flasim për ndikim të ministrave shqiptar në drejtim të përcaktimit të politikave zhvillimore në shtet dhe për një ndarje më të drejtë të mjeteve buxhetore ku edhe shqiptarët do ti ndiejnë benefitet e investimeve publike”,- theksoi Billall Kasami nga Lëvizja “Besa”.
Por, nga BDI thonë se me buxhetin është paraparë realizimi i disa projekteve që janë pjesë e programit qeveritar, ndërsa theksuan se nuk janë lënë anash projektet që janë në interes të shqiptarëve.
“BDI gjithnjë ka mbrojtur dhe vazhdon të mbron gjithë ato pozicione, interesa që i tangojnë qytetarët e këtij vendi nga Likova e deri në Strugë, e në të gjitha lokalitetet ku jetojnë shqiptarët. Meqë ky rebalancim kap një vlerë ndoshta jo të madhe, 47 milion euro, sipas asaj që e tha ministri, grupi parlamentar i BDI-së do ta mbështesë”,- u shpreh Rexhail Ismaili nga BDI.
Në lidhje me rebalancin e buxhetit u ankua edhe Avokati i Popullit, sipas të cilit nuk janë paraparë mjete për zbatimin e Ligjit të Avokatit të Popullit, në lidhje me këtë reagoi deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, i cili propozoi që të përgatitet një amendament nga grupet parlamentare për të siguruar mjetet që kërkohen.
“Në buxhetin e vitit 2017 ai ligj nuk gjeti vend, apo ato para nuk i kemi as në rebalancin e buxhetit, kurse kemi edhe 5 muaj ta zbatojmë Ligjin për Avokatin e Popullit me mandat më të fuqishëm që të mundet më fort t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve. Me buxhet të këtillë jo vetëm që nuk mundet, por do të dobësohet edhe më shumë”,- theksoi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Në Komisionin kuvendor për financa në buxhet janë dorëzuar 840 amendamente, prej të cilave 706 i ka dorëzuar VMRO-DPMNE, ndërsa 134 amendamentet tjera janë dorëzuar nga partitë shqiptare.
Me rebalancin e buxhetit është paraparë edhe subvencionim i Radio-Televizionit të Maqedonisë me heqjen e taksës radio-difuzive dhe lirimin e qytetarëve nga kjo taksë publike dhe 500 milionë denarë janë të dedikuara për mbështetje në tërheqjen e donacioneve nga IPA programi për intensifikim të aktiviteteve të mbështetura nga Bashkimi Evropian në periudhën parainkuadruese.
Rritja e ekonomisë me rebalancimin është reviduar në 2,2 për qind për sivjet, ndërsa deficiti buxhetor është projektuar në 2,9 për qind nga BPV-ja.
ERSAN PAJAZITI
