Analistët: Maqedonia rrezikon statusin
Ata madje thonë se ai nga afër ka inskenuar situatën politike të brendshme në vend dhe më pas do të përgatisë konkluzionet sa u përket reformave të brendshme institucionale….

Maqedonia rrezikon të humb statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Këtë çështje e ka alarmuar gjatë vizitës së tij në Shkup drejtori për Zgjerim i KE-së, Kristijan Daniellson, i cili realizoi takime me të gjithë aktorët politik në vend, kështu vlerësojnë analistët politik, Mersel Bilali dhe Mersim Maksuti.
Ata madje thonë se ai nga afër ka inskenuar situatën politike të brendshme në vend dhe më pas do të përgatisë konkluzionet sa u përket reformave të brendshme institucionale.
Profesori Mersim Maksuti thotë se Daniellson gjatë vizitës edhe drejtpërdrejtë zyrtarëve qeveritarë ua ka potencuar se Maqedonia ngec në realizimin e reformave, si dhe ngec në dialogun politik në relacionet pozitë-opozitë.
“Vizita e Daniellsonit në Maqedoni ishte që të japë edhe një impuls më të fuqishëm në përmbushjen e kushteve të kryetarëve që e presin Maqedoninë si sfidë e së ardhmes, që duhet të plotësojë për anëtarësimin e saj në BE. Ne jo që nuk jemi në prag të fillimit të negociatave për anëtarësim, po ne për momentin po rrezikohemi me humbjen e statusit për rekomandim dhe kjo është më e keqja që mund t’i ndodhë Maqedonisë”, deklaroi profesori universitar, Mersim Maksuti.
Mersel Bilalli thotë se për vizitë në Shkup ka qenë e paralajmëruar të qëndrojë vetë kreu i KE-së, Shtefan Fyle, anulimi i kësaj vizite dhe ardhja e Daniellsonit përbën edhe një mesazh në vete.
“Pra, me vetë faktin që nuk erdhi vetë z. Fyle që kishte paralajmëruar paraprakisht për vizitë, kjo është një mesazh diplomatik për pushtetin, i cili duhet t’i shfrytëzojë këto momente që nuk janë më pesëmbëdhjetë në dymbëdhjetë, por dymbëdhjetë e pesë. Realisht hap mundësitë dhe realitetin e proceseve eurointegruese për të zgjidhur çështjen e emrit, se përndryshe do të hyjë në disa zona politikisht shumë turbulente”, theksoi analisti Mersel Bilalli.
Ndryshe, Maqedonia gjashtë herë me radhë merr rekomandim pozitiv nga BE. (Afrim Tanallari, TVM2)
