ANALISTËT

Ramadani: Porositë e Ahmetit të merren serioze

06.06.2014 18:17

Pas kongresit të tretë partiak të BDI-së, Ali Ahmeti u dëshmua se është lider i pakontestueshëm i partisë dhe njëkohësisht i rrit kredibilitetin, me çka edhe porositë e tij duhet të merren shumë serioze…..

Pas kongresit të tretë partiak të BDI-së, Ali Ahmeti u dëshmua se është lider i pakontestueshëm i partisë dhe njëkohësisht i rrit kredibilitetin, me çka edhe porositë e tij duhet të merren shumë serioze. Kështu e vlerësojnë analistët politik dhënien e besimit që Ali Ahmeti të udhëheqë me partinë edhe një mandat katër vjeçar.

Analisti politik, Ismet Ramadani, vlerëson po ashtu se në fjalimin e tij pas rizgjedhjes, Ahmeti ka dërguar edhe tre porosi të rëndësishme, ku e para u dedikohej funksionarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, se duhet të marrin përgjegjësi mbi supe dhe duhet t’i përgjigjen detyrave dhe obligimeve që do t’i marrin.

E dyta, porosia deri te partneri i koalicionit se duhet angazhim serioz për të gjetur zgjidhje rreth çështjes së emrit, por dhe njëkohësisht porositja për dobësitë që paraqiten nëpër disa institucione. Veçanërisht la përshtypje një porosi e cila ishte një kualifikim i ashpër, por që ishte e vërtetë, se në gjyqësi ka elemente fashiste që në një mënyrë po tregohen edhe në procesin “Monstra”, ku definitivisht elementet antishqiptare po vijnë në shprehje dhe po bëjnë shtrembërim në atë që do të thotë gjyqësi e pavarur. Dhe e treta, faktorit ndërkombëtar edhe një porosi shumë miqësore, se duhet të angazhohen shumë seriozisht që të ndihmojnë që të dilet nga kjo situatë dhe definitivisht të zgjidhet çështja emrit dhe Maqedonia të merr rrugën e integrimeve euroatlantike pa ngecje dhe pa mëdyshje se mund të ketë alternativë tjetër për Maqedoninë”, - deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.

Lidhur me ndryshimet statusore të BDI-së, të cilat u miratuan nga delegatët e pranishëm, analisti Ismet Ramadani vlerëson se si çdo parti edhe BDI në ecje sigurisht ka konstatuar dobësi në funksionim dhe në procedura të ndryshme.

Analisti Ramadani ka potencuar se përshtypje pozitive ka lënë edhe debati i zhvilluar në lidhje me ndryshimet dhe intervenimet që i bënë anëtarët dhe funksionarët partiak.

Sipas tij, krejt kjo jep shpresë se dal nga dalë po hapet brenda për brenda partisë dialogu, vetëm e vetëm që partia të përpilohet sa më mirë dhe të funksionojë sipas hierarkisë, me çka konstaton se mund t’i marrë përsipër çështjet për të cilat edhe duhet zgjidhur në ecjen e mëtutjeshme dhe në funksionimin si partie politike. (Mefail Ismaili, TVM2)