Edhe këtë verë pushim falas për fëmijë nga Dibra dhe Qendra e Zhupës

18.07.2017 11:46

Favorizimi që jep projekti qeveritar për pushim falas....

Favorizimi që jep projekti qeveritar për pushim falas për fëmijë nga familje me rrezik social dhe familje sociale edhe këtë verë do ta shfrytëzojnë fëmijë nga komuna e Dibrës dhe Qendrës së Zhupës.

Kreshnik Paçuku, drejtor i Qendrës ndërkomunale për punë sociale në Dibër, i cili me aktivitetin e tij e mbulon edhe komunën Qendra e Zhupës, informoi se në thirrje e publikuar nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale u paraqitën tetë fëmijë nga dy komuna dhe të gjithë ata do të shkojnë në pushim falas.

"Në pesë vitet e kaluara, kur filloi që të zbatohet ky projekt, nga komunat e përmendura, në mesatare  nga dhjetë fëmijë ishin në kamp veror ose mbi 50 fëmijë nga të dy komunat. Fëmijët, janë shumë të kënaqur sepse  një pjesë e tyre për herë të parë kanë mundësi që të shkojnë me pushime, të njihen me shokë dhe të shoqërohen me fëmijë nga të gjitha pjesët e Maqedonisë,  mësojnë të notojnë, me një fjalë  kalojnë një pushim të mrekullueshëm shtatëditor", thekoi Paçuku.

Ai shtoi se për fëmijët është siguruar edhe transport dhe ata do të pushojnë në qendrën rekreative për fëmijë dhe të rinj "Lulja e Majit" në Strugë.