Të paktën 80 të lënduar në zjarret në Split

18.07.2017 11:54

Të paktën 80 persona janë lënduar në zjarret që digjen...

Të paktën 80 persona janë lënduar në zjarret që digjen prej dje në mëngjes në paralagjet veriore dhe lindore të Splitit.

Numri më i madh i të lënduarve janë zjarrfikës. Sipas autoriteteve lokale, të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut prë jetën.

Në rajonet e përfshira nga zjarret rreth Splitit janë sistemuar 384 zjarrfikës me 102 automjete zjarrfikëse nga 21 stacione, ndërsa deri në orën shtatë kanë fluturuar tre kanaderë, kumtoi Qendra operative zjarrfikëse zhupane në Split.

Edhe krahas numrit të madh të zjarrfikësve, ushtarëve dhe qytetarëve, zjarret në Split dhe në rrethinë nga mbrëmë i shuajnë edhe pjesëtarët e grupit të tifozëve Torcida, ndërsa prej sot do t'i shoqërojnë edhe tifozët e Zagrebit, Rijekës dhe Osijekut.

Era është ndërprerë dhe supozohet se gjatë ditës së sotme zjarri mund të vihet nën kontroll.

Qielli mbi Splitin akoma është i kaltër, ndërsa në ajër ka hi për shkak të së cilës merret frymë me vështirësi.

Sipas vlerësimeve të para në zjarret në pjesën e Omishit deri në Split janë djegur 4.500 hektarë pyje të dendura me pisha dhe shkurre, bar dhe ullishte, ndërsa zjarrfikësit kanë marrë mbi 5.000 thirrje nga qytetarë të shqetësuar.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq në seancë të jashtëzakonshme qeveritare mëngjesin e sotëm theksoi se është e mundur që Zagrebi të kërkojë ndihmë ndërkombëtare për përballje me flakët e zjarrit.