Raporti i Avokati të Popullit: Kushte të mjerueshme nëpër burgjet e vendit Memeti kërkon mbyllje të repartit të pranimit të të burgosurve
Dhoma të kalbura, mure dhe tavane të mykura....

Dhoma të kalbura, mure dhe tavane të mykura, reparte pa dollape dhe të burgosur që flenë në kartonë dhe enët të cilat ruhen nëpër tualete të mjerueshme.
Kjo është pamja nga brenda e disa reparteve në burgun e Idrizovës në Shkup, nga i cili avokati i popullit, Ixhet Memeti, në raportin e fundit për gjendjen e institucioneve me liri të lëvizjes së kufizuar i ka dokumentuar me fotografi.
Memeti thotë se burgu i Idrizovës, përveç se është i stërngarkuar dy herë më shumë me të burgosur, aty nuk ka kushte elementare për vuajtjen e dënimeve të të burgosurve. Për këtë arsye, Memeti kërkon nga Ministria e Drejtësisë mbyllje të repartit të pranimit të të burgosurve dhe përmirësimin urgjent të hapësirave tjera në këtë burg.
“Për shkak të kushteve jashtëzakonisht të këqija të këtij reparti, vendosa që publikisht të kritikoj dhe njëkohësisht të kërkoj që Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve këtë repart menjëherë ta mbyllin dhe të shfrytëzohen hapësira tjera të cilat nuk shfrytëzohen në burgun e Idrizovës”,- deklaroi avokati i Popullit, Ixhet Memeti.
Një objekt i shkatërruar është edhe ambulanca e të burgosurve në Idrizovë. Edhe aty të burgosurit nuk kanë kushte për t’u mjekuar, ndërsa kushtet me të cilat përgatitet dhe servohet ushqimi i të burgosurve, nuk i kanë as kafshët, sqaron Memeti. Shqetësim shtesë e kësaj situate të rëndë është që nëpër burgjet e vendit gjithashtu “lulëzon” droga dhe korrupsioni.
“Në burgje shumë lehtë mund të vihet deri te droga dhe veçanërisht shqetëson fakti se në vend të shërimit është evidente tendenca e regrutimit të përdoruesve të ri të drogës. Nëpër burgje gjithashtu shiten edhe krevatet, celularët, por dhe lojërat e ndryshme të drogave”,- tha avokati i Popullit, Ixhet Memeti.
Gjendje pothuajse të njëjtë Memeti konstaton edhe në tre burgjet e tjera në vend. Përveç kësaj, në raportin e Avokatit të Popullit konstatohen kushte të këqija edhe në spitalin e Demir Kapisë dhe në disa stacione të tjera policore të cilat janë të amortizuara dhe nuk i plotësojnë nevojat elementare për punë. (Rexhep Qamili, TVM2)
