Mbledhja e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim, Osmani dhe Dimitrovi kërkojnë mbështetje nga BE
Pas një pauze dyvjeçare, Maqedonia dhe BE-ja realizuan.....

Pas një pauze dyvjeçare, Maqedonia dhe BE-ja realizuan mbledhjen e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, në takimin me përfaqësues të lart të BE-së kanë diskutuar për marrëdhëniet reciproke dhe janë dakorduar mbi rëndësinë e adresimit të reformave të prapambetura. Ata kanë kërkuar mbështetje nga Bashkimi Evropian për sigurimin e hapave konkretë që do ta çonin Maqedoninë drejt perspektivës evropiane.
“Ne jemi fuqishëm të bindur, ky është shansi i dytë që e marrim ne si shtet për të shfrytëzuar dhe të bëjmë gjithçka për të siguruar fillim të bisedimeve paraqasëse me BE-në. Ne jo vetëm që jemi të përgatitur, por e kemi patjetër që të bartim rezultate, ndërsa BE-ja ka shans që të demonstrojë strategjinë e vetë dhe të gjejë mënyrë për të vazhduar procesin paraqasës në Maqedoninë”,- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
“Shteti i pranon të gjitha rekomandimet e KE-së në drejtim të reformave, pasi që është koha e duhur që të dërgojmë rezultate konkrete dhe se ato reforma do t’i bëjmë në një proces gjithëpërfshirës me shoqërinë dhe opozitën”,- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Frederika Mogerini, dhe komisioneri për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Johanes Han, kërkuan që të vazhdohet me zbatimin e reformave prioritare, por edhe implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës.
“Jemi të lumtur që kemi fillim të ri për shtetin. Optimizmi i ri dhe përkushtimi i fuqishëm mundësojnë që e gjithë energjia të drejtohet te reformat që janë të nevojshme për qytetarët dhe të cilat ata i dëshirojnë. Reforma që janë të nevojshme për perspektivën e integrimit evropian”,- theksoi përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini.
“Është e nevojshme që të implementohet Marrëveshja e Përzhinës dhe reformat prioritare. Kjo është e rëndësishme që të mund shteti të kthehet në rrugën evropiane. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që duhet të shpejtohet me zgjidhje ligjore në kuvend. Presim kualitet përmes dialogut”,- u shpreh komisari i BE-sё pёr zgjerim, Johanes Han.
Dimitrovi dhe Osmani para përfaqësuesve të BE-së elaboruan Planin “3-6-9”, përbërjen e tij, zbatimin e tij dhe efektet e pritura, si dhe angazhimet e Maqedonisë për mbylljen e të gjitha çështjeve politike dhe heqjen e të gjitha pengesave për riaktivizimin e procesit eurointegrues. (Sanije Duraku, TVM2)
