“Qatar Airways”, linjë e re ajrore Doha - Shkup dhe anasjelltas

18.07.2017 16:29

“Qatar Airways” ka prezantuar vendosjen e linjës së re ajrore Doha-Shkup....

“Qatar Airways” ka prezantuar vendosjen e linjës së re ajrore Doha-Shkup dhe anasjelltas, e cila nga e hëna ka filluar të qarkullojë katër herë në javë. Shefi i Zyrës Komerciale të “Qatar Airways”, Ehab Amin, tha se linja e re ajrore do të lehtësojë vizitat familjare të shtetasve të Maqedonisë në Katar.

“Në Katar aktualisht kemi rreth 2 mijë shtetas të Maqedonisë të cilët jetojnë dhe punojnë atje, nga të cilët rreth 100 punojnë për “Qatar Airways”, prandaj kjo linjë mundëson edhe vizita më të shpeshta familjare”,- deklaroi shefi i Zyrës Komerciale “Qatar Airways”, Ehab Amin.

Menaxheri kryesor i TAV - Maqedoni, Alp Er Tunga Ersoy, nga ana e tij tha se ky destinacion  do të lehtësojë edhe udhëtimin e shtetasve të Maqedonisë në Australi dhe vende të tjera duke transituar përmes Katarit për një kohë udhëtimi më të shkurtë.

“Kjo linjë ajrore është një mundësi e shkëlqyer për shtetasit e Maqedonisë që gjenden në Australi dhe Zelandë të Re që të vijnë në vendlindje sepse koha e udhëtimit ju shkurtohet dukshëm, gjithashtu shpresoj që bukuritë natyrore të Maqedonisë t'i paraqesë një destinacion atraktiv turistik për qytetarët e Katarit”,- theksoi menaxheri kryesor i TAV - Maqedoni, Alp Er Tunga Ersoy.

Ministri i Maqedonisë për Transport dhe Lidhje, Goran Sugarevski, tha se kjo linjë ajrore hap perspektiva të shumta për të dyja shtetet në fushën e bashkëpunimit ekonomik, turistik dhe kulturor.

“Kjo përputhet me synimet e qeverisë sonë për tërheqjen e investitorëve të huaj që do të jenë në funksion të zhvillimit të vendit tonë, por paraqet një mundësi të mirë për kompanitë tona për të plasuar prodhimet e tyre në tregjet e treta",- u shpreh ministri i Maqedonisë për Transport dhe Lidhje, Goran Sugarevski.

“Qatar Airways” për herë të katërt u emërua kompania më e mirë ajrore në botë. Ajo ka fituar edhe çmimet “Klasi më i mirë i biznesit” dhe “Kompania më e mirë në Lindjen e Mesme”. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)