Rebalanci i buxhetit, me akuza të ndërsjella mes pozitës dhe opozitës
Me akuza të ndërsjella mes pozitës dhe opozitës, ka vijuar debati për rebalancin e buxhetit....

Me akuza të ndërsjella mes pozitës dhe opozitës, ka vijuar debati për rebalancin e buxhetit.
LSDM thonë se me rishikimin e buxhetit do të ndërpriten të gjitha lukset për të cilat qeveria e mëparshme ka shpenzuar para të majme. Sipas deputetit Kovaçevski, me rebalancin paratë do t’u kthehen qytetarëve nëpërmjet rritjes së pagave dhe subvencioneve të ndryshme.
Ndërkohë, VMRO-ja opozitare akuzon se me këtë rebalanc shkurtohen mjete të parapara për projekte të rëndësishme të cilat nuk sjellin zhvillim ekonomik. Sipas VMRO-së, qëllim kryesor i LSDM-së është që nëpërmjet këtij buxheti të kryej punësime partiake, e jo të angazhohet për zhvillim ekonomik të vendit.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka borxh prej 424 milion denarë, dhe Ministria e Kulturës, e cila ka plot 2,4 miliard detyrime ndaj kontraktuesit. Megjithatë, karakteristikë kryesore e këtij rebalanci është shkurtimi i parave për luks, për reklama, për kampanja, për shpenzime joproduktive, ndërsa në të njëjtën kohë paratë t’u drejtohen qytetarëve, me çka do të rritet paga minimale, do të rriten transferet sociale, do të tërhiqet taksa radio-difuzive etj”,- theksoi Vasko Kovaçevski nga LSDM.
“Vetëm për t’i realizuar tre premtimet tuaja parazgjedhore, për të cilat nuk dini se si t’i realizoni, keni shtypje të madhe, a e dini çfarë bëni? Bëni shkurtim të mjeteve të pozicioneve kryesore, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e sektorit ndërtimor, i cili është komponent kryesor për zhvillim ekonomik. Bëni shkurtim të mjeteve për rekonstruim të institucioneve ndëshkuese përmirësuese, zhvillimin e turizmit, promovimit ekonomik, të zonave teknologjike industriale...”,- theksoi Liljana Kuzmanovska nga VMRO–DPMNE.
Lidhur me heqjen e taksës radio-difuzive, VMRO vlerëson se LSDM nuk i ka bërë përllogaritjet e duhura, pasi sipas tyre 3 milion euro janë mjete të pakta për subvencionimin e RTVM-së.
Nga ana tjetër, Partia qeveritare LSDM thotë se 3.5 milion euro janë para të mjaftueshme deri në fund të vitit, kurse gjatë hartimit të buxhetit të vitit 2018 do të parashohin 20 milion euro subvencionim për Servisin Publik.
“Në vit për mbulimin e taksës radio-difuzive sipas përllogaritjeve janë të nevojshme rreth 25 milion euro. Plani juaj është 3 milion euro për periudhën e ardhshme dhe pse nuk u tregoni qytetarëve se këto 3 milion euro që i planifikoni deri në fund të vitit do të shkurtohen po nga ata qytetarë nëpërmjet shkurtimit të mjeteve për disa projekte kapitale”,- deklaroi Nikolla Miçevski nga VMRO.
“Është e vërtetë se për një vit duhet të dedikohen 20 milion euro për Radio Televizionin e Maqedonisë. Por, për periudhën prej momentit të tërheqjes deri në fund të vitit, 3.5 milion euro janë të mjaftueshme për subvencionimin e RTVM-së”,- tha Bllagoj Buçvarski nga LSDM.
Me rebalancin e buxhetit është paraparë ulje e të hyrave dhe shpenzimeve. Ana e të ardhurave është e ulur për 1.5%, apo për 46,6 milion euro, ndërsa ana e shpenzimeve është ulur për 47.2 milion euro. Rritja e ekonomisë me rebalancimin është reviduar në 2,2 për qind për sivjet, ndërsa deficiti buxhetor është projektuar në 2,9 për qind nga BPV-ja. (Ersan Pajaziti, TVM2)
