Maqedoni

Debati i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë u zhvillua prapa dyerve të mbyllura

18.07.2017 17:28

Prapa dyerve të mbyllura u zhvillua diskutimi për marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme...

Kryeministri, Zoran Zaev, nevojën për seancë të mbyllur e bazoi në konventën ndërkombëtare të Vjenës, me arsyetimin që të mos shqetësojnë momentin e respektit reciprok me Bullgarinë. 
 
“Kur do t’i kalojmë aspektet procedurale dhe protokollare do ta shfaqim para opinionit para se të nënshkruhet marrëveshja që të mund publikisht të realizohet debat dhe të merren sugjerime, dhe nëse me të vërtetë nxirret diçka e mirë, ne do ta përfshijmë dhe pastaj do ta nënshkruajmë marrëveshjen me kryeministrin e Bullgarisë”,- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
 
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, vlerësoi se materialet mund të dorëzohen deri te deputetët edhe pasi u votua që ajo të jetë e mbyllur për opinionin, ndërsa sipas marrëveshjes deputetët të cilët nuk kanë certifikatë të sigurisë do të nënshkruajnë deklarata adekuate.
 
“Fillimisht të votohet nga komisioni kërkesa që të mbyllet seanca dhe të hapen kushtet që komisioni të mund t’i marrë materialet e nevojshme. Për këtë arsye mendoj se proceduralisht duhet të votohet që komisioni të jetë i mbyllur”,- tha kryetari i Parlamentit të RM-së, Talat Xhaferi.
 
Para votimit për atë se nëse seanca do të jetë e mbyllur ose jo, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshoski, theksoi se anëtarët e komisionit duhet të marrin materialet e pastaj të votojnë për propozimin nëse seanca të jetë e hapur ose e mbyllur për opinionin. 
 
“Këtë marrëveshje që e kemi tani të shkruar dhe që mendoni se është në gjendje të mirë, mendojmë që duhet me procedurë sigurie dhe informata të klasifikuar të ju shpërndahet deputetëve të cilët janë anëtarë të Komisionit për Politikë të Jashtme, që të njëjtit të mund të kenë qasje dhe të vlerësojnë se cilat gjëra janë të mira dhe cilat janë të panevojshme”,- u shpreh Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Seanca e mbyllur filloi pas verifikimit të certifikatave të sigurisë së deputetëve.
 
Detaje nga marrëveshja për fqinjësi të mirë që pritet të nënshkruhet në fillim të muajit të ardhshëm nuk dihen, përveç faktit se ajo do të nënshkruhet në maqedonisht dhe bullgarisht, që flet për njohjen e gjuhës maqedonase nga Bullgaria fqinje.
 
GAZMEND REXHEPI