Maqedoni

Avokati Popullit akuzon MPB – në se me dhunë ka deportuar refugjatë

18.07.2017 17:52

Gjatë prezantimit të raportit të fundit, Avokatit i Popullit, Ixhet Memeti, ka deklaruar se policia maqedonase...

Gjatë prezantimit të raportit të fundit, Avokatit i Popullit, Ixhet Memeti, ka deklaruar se policia maqedonase natën në mes të shtunës dhe të dielës me dhunë ka deportuar 18 refugjatë nga qendra transitore Tabanoc.
 
Sipas Memetit, informatat kanë arritur mëngjesin e sotëm në Zyrën e Avokatit të Popullit, ku tanimë ekipet janë në terren për të hetuar rastin.
 
Ai gjithashtu shtoi se në mesin e refugjatëve ka qenë edhe një person i cili ka kërkuar azil në Maqedoni dhe në vend që organet kompetente t’i mundësojnë qasje në të drejtën e azilit, ata me dhunë e kanë larguar nga kampi.
 
“Mes natës 16 dhe 17 të këtij muaji, policia e Maqedonisë është futur në Qendrën transitore Tabanoc dhe me dhunë ka nxjerrë nga shtëpizat e vogla 18 të huaj refugjatë. 10 nga ata në bazë të informacioneve që kemi i kanë deportuar për në Greqi, ndërsa 8 prej tyre kanë arritur të ikin dhe ndodhen diku rreth fshatrave të qendrës transitore”,- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Ndërkohë, ndaj këtyre akuzave reagojnë nga MPB. 
 
“Janë të palogjikshme akuzat se policia ka hyrë me forcë në kampin në Tabanoc, sepse policia vazhdimisht është brenda kampit për të siguruar rendin. Jashtë kampit, por edhe në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë, policia është e  obliguar të veprojë kur bëhet fjalë për zbulimin e emigrantëve të paligjshëm. Natën mes 16 dhe 17 korrik nuk ka pasur ndonjë aksion të përmasave më të mëdha por vetëm ndërmarrje e aktivitete të rregullta të policisë në kuadër të kompetencave të tyre në lidhje me zbulimin e emigrantëve të paligjshëm”,- thuhet nga MPB.  
 
Nga MPB thonë se për sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje dhe për t’i eliminuar të gjitha spekulimet me iniciativë të Ministrisë së Brendshme në Qendrën për Menaxhim me Kriza do të zhvillohet një takim koordinues. 
 
GAZMEND KURTISHI